Diellza, e pazëvendësueshme te filmi “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 3”

Pas spekulimeve të shumta se Aurela Hoxha do ta zëvendësojë Diellza Kolgecin në filmin më të ri, “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 3”, kjo teori bie poshtë nga regjisori dhe skenaristi, Ekrem Kryeziu.

Në një intervistë për Telegrafin, Kryeziu e mohoi një gjë të tillë duke thënë se Aurela, me praninë e saj do ta fuqizoi rolin e Diellzës.

“Si mund të jetë filmi pa Diellzën. A mund të jetë i gjallë një trup po nuk pati shpirt, e shpirti i ‘Dashurisë së Bjeshkëve të Nemuna 3’,do të jetë Diellza”.

“Ajo kësaj radhe edhe më shumë se në të dy të parat do të shpaloset si një aktore e pjekur që pos bukurisë do të na ofrohet si një personalitet autorial dhe me punën që ka përpara, jam shumë i bindur se kështu do të shënojë edhe një sukses të ri, në vistrën e sukseseve të saj”, është shprehur regjisori.

Filmi pritet që nga mesi i muajit gusht të fillojë xhirimet në Grykën e Rugovës. /Telegrafi/