FIFA sinjale Kosovës, yjet mund t’i bashkohen përfaqësueses në këtë mënyrë

Lojtarët kosovarë, që janë pjesë e përfaqësueseve tjera, nëse duan të luajnë për Kosovën veç e veç duhet të paraqesë kërkesë pranë Komisionit për Statusin e Futbollistëve në FIFA. Tashmë kërkesat kanë filluar

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka marrë përgjigjen që ka dashur nga FIFA në lidhje me lojtarët që mund të jenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në ciklin eliminator për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.

FFK-ja kërkonte të dinte saktë se në cilët lojtarë mund të llogarisë. Por, në mënyrë indirekte, FIFA i ka treguar FFK-së se si duhet të veprojë dhe puna ka nisur menjëherë, shkruan sot Koha Ditore. Tashmë në FIFA janë deponuar kërkesat e para për ndërrim të përfaqësueses nga lojtarët kosovarë.

Ajo që kanë mësuar zyrtarët e FFK-së nga heshtja e FIFA-s, është se secili futbollist veç e veç duhet të paraqesë kërkesë pranë Komisionit për Statusin e Futbollistëve, e më pas secila kërkesë do të shqyrtohet, po ashtu veç e veç.

Kërkesës së lojtarëve për ndërrim të përfaqësueses, duhet t’i bashkëngjitet edhe dëshira e FFK-së që ta ketë atë lojtar pjesë të përfaqësueses së Kosovës./PrishtinaPress.eu