Kosova, e gatshme të shfaqë forcën në “Eurobasket 2017″

Arben Krasniqi, përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, beson se Kosova është e gatshme të shfaqë forcën në “Eurobasket 2017″

Rrugëtimi i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll drejt “Eurobasket 2017” është ndarë në tri faza dhe e para është mbyllur me sukses. Kështu mendon përzgjedhësi Arben Krasniqi.

Faza e parë kishte të bënte me përgatitjet dhe ajo u krye sipas planit, thotë Krasniqi, ndërkohë që faza e dytë ka të bëjë me shumë ndeshje miqësore, kurse e treta dhe më e rëndësishmja, ka të bëjë me ndeshjet eliminatore, që nisin më 31 gusht, shkruan Koha Ditore.

Krasniqi ka treguar se nga 7 korriku kur nisën përgatitjet për ndeshjet eliminatore të “Eurobasket 2017”, u zhvilluan 33 seanca stërvitore. Kurse, Pengesa e vetme në këtë rrugëtim, është mospërgjigjja e disa lojtarëve të ftuar.

“Në bazë të listës që kemi projektuar, fatkeqësisht nuk kanë ardhur shtatë lojtarë për arsye të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se ata Kosovës nuk do t’i bashkohen në të ardhmen. Ideja ka qenë që ekipi A të ketë një strukturë dhe organizim të mirëfilltë, i cili është i domosdoshëm edhe për të ardhmen”, është shprehur Krasniqi.

Në eliminatore, Kosova bën pjesë në Grupin E së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë dhe vetëm vendi i parë kualifikohet direkt. Kualifikohen edhe katër ekipet më të mira të dyta nëpër grupe.