Kineastët kërkojnë parandalimin e një ligji që dëmton kinematografinë

Nëse ministri i Kulturës, Kujtim Shala, nuk kërkon tërheqjen e Projektligjit për kinematografi, deputetët e Kosovës do të votojnë versionin që e kundërshton një grup kineastësh, më aktivët e kohëve të fundit, shkruan sot Koha Ditore.

Projektligji për kinematografi sot (e enjte) pritet t’iu ofrohet deputetëve për votim. Një ditë para se të votohet leximi i dytë i dokumentit me të cilin synohet të rregullohet veprimtaria kinematografike e vendit, filmbërësit kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të reaguar dhe për t’iu bërë thirrje deputetëve të mos e votojnë atë.

Po ashtu, kineastët kanë bërë thirrje që ministri Shala, njëherësh edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, të kërkojë tërheqjen e Projektligjit. Në korrik, Projektligjit për kinematografi i qe dhënë drita e gjelbër që të nxirrej në seancë për votim, me gjithë reagimet e komunitetit artistik dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Propozimet e kësaj të fundit, dhe ato të një pjese të kineastëve, nuk ishin marrë parasysh dhe anëtarët e Komisionit parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini dhe sport kishin ngritur dorën që Projektligji të shkonte në seancë plenare pa ndryshimet e propozuara. Ky komision kryesohet nga Nait Hasani, dhe ka në përbërje deputetët Shpejtim Bulliqi, Salih Morina, Ismajl Kurteshi dhe Myfera Ainik.

Të mërkurën, Shoqata e Producentëve e Kosovës, në krye me Blerta Bashollin, ka dalë me një thirrje publike drejtuar deputetëve, që të mos e votojnë Projektligjin, i cili, sipas tyre, ka mbërritur në Kuvend pa përfillur shumë kërkesa të kineastëve./PrishtinaPrees.eu