Rasti i Demarkacionit, i njëjtë me atë të zgjedhjes së Thaçit president!

Dymbëdhjetë orë kanë zgjatur diskutimet në tryezën e organizuar për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ndërkaq pozita dhe opozita nuk i kanë përafruar qëndrimet e tyre.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë të mbajtur sot tha se duhet të procedohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit dhe se kauza e opozitës është e paqëndrueshme.

Zhvillimet e fundit për analistin Nexhmedin Spahiu nuk do të na dërgojnë drejt një eskalimi të situatës ndërsa Imer Mushkolaj tha se kjo situatë është e ngjashme me zgjedhjen e Thaçit president.

Spahiu tha për Telegrafin se debati tregoi që Komisioni dhe Qeveria kanë punuar në mënyrë të papërgjegjshme.

“Me këtë i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit”, vlerëson Spahiu.

Ndërsa, Mushkolaj tha se që po qe se koalicioni qeveritar do t’i siguroj votat gjithsesi do ta kaloj në parlament edhe çështjen e demarkacionit e cila do të ratifikojë marrëveshjen.

“Mund të kemi përplasje edhe nga protestat që do të organizohen në shesh, mund të kemi edhe reagime nga ana e deputetëve të Vetëvendosjes brenda kuvendit, por besoj që nëse i siguron votat, koalicioni qeveritar gjithsesi do ta hedh marrëveshjen në votim”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme u organizua protesta Lëvizjes Vetëvendosje, me mbi 100 protestues për të ndaluar ratifikimin e marrëveshjes e Demarkacionit për të cilin mendohej që do të hynte në rend dite.

Opozita thotë se demarkacioni duhet të zhbëhet për të rinisur një tjetër proces, por partitë në pushtet dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë thirrje për votimin e marrëveshjes me të cilën do të hapej perspektiva e Kosovës.

Ndryshe, ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti i fundit të cilin Bashkimi Evropian pret që Kosova ta zbatojë, para se kjo e fundit ta marrë liberalizimin e vizave.