Ratifikohet marrëveshja për modernizimin e shërbimeve të Kardiologjisë

????????????????????????????????????

Kuvendi i Republikës së Kosovës ratifikoi sot Marrëveshjen e kredisë të Qeverisë së Republikës së Kosovës (si haumarrëse)  dhe Unicredit Bank Austria AG (si huadhënës) për financimin e projektit; “Modernizimi i shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”.

Vlera totale e projektit që do të financohet përmes kësaj marrëveshjeje është 2.6 milionë euro dhe do të realizohet përmes Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa përmes kësaj huamarrje do të sigurohen pajisje për modernizimin e shërbimit të Kardiologjisë Invazive, përkatësisht modernizimin e shërbimebe të diagnostikimit dhe trajtimit në këtë shërbim.

Marrëveshja e ratifikuar sot nga Kuvendi i Kosovës është pjesë e kredisë prej 20 milionë eurove midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Austrisë, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2012.

Marraveshje është arritur duke u bazuar në kriteret e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim,  me seli në Paris për kreditë eksportuese.

Me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë i hapet mundësia për sigurimin e pajisjeve të reja për shërbimin e Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të cilat pritet të rezultojnë me rritje të vëllimit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore në këtë shërbim.