Rrjedh sërish hidrogjeni në Kosova A, katastrofa shumë afër!

Rrjedh serish hidrogjeni ne Kosova A. Inxhinierët e Korporatës Energjetike të Kosovës e parandaluan katastrofën duke e fikur menjëherë bllokun A5, i cili para dy viteve kishte shpërthyer duke lënë pas vetës disa të vdekur.

Bombolat vrastare të hidrogjenit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) janë aktivizuar përsëri. Burime të lajmi.net bëjnë të ditur që si pasojë e rrjedhjes së hidrogjenit, para pak ditësh, inxhinierët e KEK-ut janë detyruar ta ndalin urgjentisht bllokun A5 të Termocentralit Kosova A. Në këtë termocentrale para dy viteve ka pasur rrjedhje të njëjtë të  hidrogjenit dhe si pasojë kishte pasur një shpërthim të madh i cili ishte shoqëruar me dy viktima e shumë të plagosur, ndërsa përgjegjësia nuk kishte rënë mbi askënd.

Në KEK nuk kanë dashur të flasin rreth rrjedhjes së hidrogjenit, por nuk e kanë mohuar që ka pasur rrjedhje. Megjithëkëtë, Skender Bucolli, drejtor në  Zyrën Ekzekutive për marrëdhënie me publikun dhe komunitetin ka thënë për lajmi.net se blloku A4 dhe A5 janë fikur për shkak se kanë shkuar në remonte vjetore.

“Se pari duhet potencuar se përkundër moshës se njësive TC-A për periudhën Janar – Qershor 2016 ka arrit të prodhojnë 1,021,870 MËh, e që realizuar në përqindje i bie 103.4  për qind sipas planit. Duke patur në konsideratë gjendjen dhe vjetërsinë e këtyre njësive i është shtuar një kujdes shumë më i madh se me parë dhe në vazhdën e kësaj çfarëdo indikacioni apo problemi i çfarëdo natyre merren hapa konform udhëzuesve për operim. Mbi të gjitha, këtyre ditëve blloqet e Kosovës A janë ne remonte të rregullta sipas planit,  siguria është në nivelin më të lartë dhe mundë të themi se i tejkalon  normat standarde”, ka thënë Bucolli për lajmi.net.

Ai ka njoftuar se, të gjitha ekipet e KEK-ut janë te mobilizuara rreth remontit dhe janë të përkushtuar që remontin ta përfundojnë në afatin e paraparë duke i finalizuar të gjitha parametrat teknike. Nëse ecuria e punës rrjedhe sipas planit të parashikuar, kthimi në punë i blloqeve pritet të bëhet së shpejti, më konkretisht Blloku-A4 me datë 03.08.2016 nga ora 07:00 deri 09:00, ndërsa Blloku A-5 do të jetë i gatshëm me datën 09.08.2016”, ka shtuar tutje Bucolli.

Ish-drejtori i termocentralit “Kosova B”, inxhinieri Avni Kurshumliu ka thënë se rrjedhja e hidrogjenit është e barabartë me një katastrofë. Ai e ka përshëndetur reagimin e menjëhershëm të inxhinierëve të KEK-ut për ndaljen e menjëhershme të bllokut. “E keqja është se nga rrjedhja e hidrogjenit që ka ndodhur para dy viteve kemi pasur viktima dhe askush nuk është përgjigjur për këtë. Dhe atij problemi i është venë kapak, ngase prekëshin persona të lartë qeveritarë. I vetmi send që është i rrezikshëm në termocentral është hidrogjeni. Është e barbarët me një bombë shumë të rrezikshme, bile bomba hidrogjenike shpërthen pa pasur nevojë për shkaktar të jashtëm, apo ndonjë shkëndi”, tha Kurshumliu për lajmi.net.

Ekspertit i termocentraleve thotë se KEK-u i ka udhëzimet e qarta administrative që nëse respektohen në tersi nuk ka vend për shqetësime e shpërthime. “Ndryshe nga hera e kalkuar që e kanë neglizhuar problemin, këtë herë kanë reaguar me kohë duke e fikur bllokun. Personeli duhet ta përcjell rrjedhjen e hidrogjenit, në momentin që rrjedh, urdhri duhet të jetë që të ndalet blloku. Kjo është e paraparë edhe me urdhëresa administrative. Pra, vetëm duhet që KEK-u tu përmbahet atyre udhëzimeve, çdo tolerim  është i barabartë me ndonjë katastrofë. KEK-u ka kapacitete që të mirëmbajë çdo gjë, por problem mbetet injorimi i problemit”, ka thënë tutje Kurshumliu.

Ndryshe, në qershor të vitit 2014 papritur një shpërthim i fuqishëm kishte ndodhur në Termocentralin Kosova A duke lënë pas vetes dy të vdekur e 14 të plagosur

Termocentrali Kosova A është njëri nga dy prodhuesit e energjisë elektrike në Kosovë që përdorin qymyrin linjit dhe është më i vjetëri dhe një nga ndotësit më te mëdhenj të mjedisit në Kosovë. /Lajmi.net/