Shkëndija sonte mund të shkruajë historinë (Video)

Në seancën stërvitore zyrtare, në stadiumin ‘Mestsky’, futbollistët Shkundjes kishin mundësi të ‘njoftohen’ me terrenin në të cilin sonte, nga ora 19:00, do të kërkojnë hapin e radhës historik në Europa League ndaj Mlada Boleslav.

Shkëndija ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore, duke shijuar terrenin e stadiumit ‘Mestsky’ në Mlada Boleslav të Republikës Çeke. Të enjten ekipi para vetes ka një tjetër sfidë të madhe dhe historike, e cila mund të sjell kualifikimin në fazën e play-offit të Europa Leagues.

Fitorja 2:0 në sfidën e parë i jep përparësi solide tetovarëve, mirëpo forca dhe kualiteti i Mlada Boleslav kërkon kujdes maksimal në këto 90-të minuta të revanshit.

Historia që bën skuadra në Evropë ka bërë që atmosfera të jetë në nivel të lartë, mirëpo në të njëjtën kohë vendosmëria për të provuar realizimin e hapit të radhës historik sjell seriozitet maksimal në mesin e futbollistëve.

Stafi teknik në seancën e fundit stërvitore ka përfunduar plan programin përgatitor për sfidën e kthimit, ndërsa në shërbim ka të gjithë arsenalin pa ndonjë mungesë nga rradhët e futbollistëve.

Formacioni do të vendoset para ndeshjes, mirëpo nuk pritet ndonjë ndryshim i madh pasi ekipi që fiton edhe nuk ka nevojë të ndryshohet. Përballja Mllada Boleslav-Shkëndija do të zhvillohet të enjten në stadiumin ‘Mestsky’ në Mllada Boleslav të Republikës Çeke, me fillim në orën 19:00.