S’ka shtyrje të afatit për faljen e borxheve

Zyrtarë nga Ministria e Financave kanë paralajmëruar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për falje të borxheve, pavarësisht se rezultatet e deritanishme janë jo të kënaqshme. Por, në anën tjetër përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë dalë me rekomandime për shtyrje të kohës për falje të borxheve

Ministria e Financave nuk do ta shikojë mundësinë e shtyrjes së afatit për faljen e borxheve, pavarësisht se rezultatet e deritashme janë jo të kënaqshme. Edhe pse Ligji për Falje të Borxheve është në fuqi edhe një muaj, deri më tani janë falur vetëm 30 për qind e borxheve. Përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë deklaruar se Ministria e Financave duhet të bëjë ndryshime ligjore, ku borxhet duhen të falen pa kushte deri më 2008, si dhe afati të shtyhet që ligji të japë rezultatet e duhura.

Por Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave, ka thënë se të gjitha çështjet janë sqaruar në Ligjin për Faljen e Borxheve dhe në Udhëzimin Administrativ të aprovuar nga Qeveria për këtë ligj, në të cilën janë të specifikuara të gjitha çështjet për implementimin e ligjit, duke përfshirë edhe afatin kohor.

Shahini nuk ka treguar se çfarë masa do të marrë Ministria e Financave pas përfundimit të afatit të Ligjit për Faljen e Borxheve. “Jeni të njoftuar shumë herë përmes përgjigjeve se afati kohor për implementim të ligjit vlen për të gjithë e ai është deri më 2 shtator 2016. Ndërsa më 03 shtator shfuqizohet ligji”, ka thënë ai./Zëri/PrishtiaPress.eu