PDK dënon sulmin në Kuvend, e quan krim të planifikuar

Partia Demokratike e Kosovës dënoi fuqishëm sulmin ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar si akt të organizuar kriminal, kundër vlerave të institucionit më të lartë legjislativ të vendit.

Në reagim thuhet se sulmi i rëndë kriminal ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, është sulm ndaj të arriturave të Republikës së Kosovës, ndaj shtetit, rendit demokratik, kushtetues dhe qytetarëve të saj.

“Partia Demokratike e Kosovës, konsideron se ky akt kriminal, është bërë në kohën kur debatet për çështjet e interesit nacional janë e arritur e re e vendit tonë, përfaqësuesve të saj dhe frymës së tolerancës e transparencës në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Më tej në reagim thuhet se partitë politike, deputetët dhe opinioni publik kanë përgjegjësi dhe duhet të kontribuojnë në ruajtjen e imazhit dhe promovimit të arriturave të vendit dhe synimit euro-integrues, me vlerat e shoqërisë së lirë dhe demokratike që po ndërtojmë së bashku me partnerët tanë, ShBA-në dhe BE-në.

“Partia Demokratike e Kosovës fton organet e rendit që sa më shpejtë të gjejnë aktorët e këtij krimi të rëndë, të planifikuar, duke i vënë ata para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagim.