KEDS-i premton dimër me energji elektrike (Video)

Në kuadër të investimeve, KEDS është duke bërë revizionimin e të gjitha linjave 10 kW, përkatësisht të Tensionit të Mesëm të Rrjetit Distributiv. Po analizohen një nga një të gjithë largpërçuesit dhe po intervenohet në secilin ku paraqitet e nevojshme.

Ky investim, sipas zyrtarëve të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, po bëhet për të rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike gjatë stinës së dimrit edhe atëherë kur ka erëra të forta.

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, për KosovaPress tha se kjo po bëhet që konsumatorët të kenë shërbime sa më kualitative dhe faktorët ekstern, përfshirë kushtet atmosferike, të kenë sa më pak ndikim në furnizimin me energji elektrike.

Përforcimi i rrjetit do të bëhet gjatë tërë muajit gusht, ndërkohë që mund të ketë edhe ndërprerje deri në disa orë për largpërçuesin specifik ku intervenohet.

“Në kuadër të investimeve që po bënë KEDS-i në rrjetin distributiv, aktualisht është duke u bërë revizionimin e të gjitha linjave 10 kW përkatësisht të linjave të tensionit të mesëm të largpërçuesve anekënd territorit të vendit. Kjo po bëhet për të rritur sigurinë e furnizimit. Çka nënkupton siguria e furnizimit? Në rast se kushtet e rënduara atmosferike të faktorëve ekstern kanë ndikim të jashtëzakonshëm duke pasur prishje të vazhdueshme. Ndërsa, revizionimi bëhet në baza vjetore, kontrollohet se a është gjithçka në rregull me linja apo jo. Në qoftë se nuk është në rregull, intervenohet menjëherë, por kjo ndodhë gjatë stinës së dimrit kur ka erëra të forta apo stuhi… Pra, kësaj here hyjmë shumë më të përgatitur dhe kemi shumë më pak ndalesa të energjisë si pasojë e faktorëve nga kushtet atmosferike”, tha Buzhala.