Filmi që tregon Kosovën e viteve ’90-ta, u shfaq në DokuFest

Asokohe punëtorët shqiptarë i larguan nga puna në institucionet publike, mediat në gjuhën shqipe u mbyllën, shumë shkolla fillore e të mesme u mbyllën për nxënësit shqiptarë, i tërë sistemi universitar u mbyll.

Përderisa premiera e tij do të shfaqet më 14 gusht në Festivalin e Sarajevës, filmi “Drums of resistance” është shfaqur sonte në DokuFest.

Filmi tregon se si kur filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, regjimi serb ndaloi pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në jetën publike.

Regjisori Mathieu Jonuffre thotë për lajmi.net se aty paraqitet një vetorganizim, që kryesisht ishte i dukshëm në sistemin arsimor.

“Daullet e Rezistencës” (Drums of resistance) nga Mathieu Jouffre dhe Besa Luci, sjell kujtimet personale të disa personazheve, nga vitet e 90-ta.

Jouffre thekson se për film janë përdorur kujtime personale të njerëzve që janë pjesë e dokumentarit, dhe pamje nga arkivi.

“Gjatë bisedave me familjarë, miq kam filluar të pyes për jetën e viteve të 90-ta dhe menduam që do të ishte më mirë t’i mbledhim gjithë këto kujtime nga këndvështrime personale dhe t’i dokumentojmë”, thotë ai. /PrishtinaPress.com