Komunës dhe MI-së nuk u bëhet vonë për rrethrrotullimin e ‘taksirateve’ në Ferizaj (Foto)

Ka disa javë që mediat raportojnë për aksidente të shumta që po ndodhin në rrethrrotullimin e njohur në magjistralen Prishtinë – Shkup, konkretisht në Komunën e Ferizajt. Mos sinjalizimi i rrethrrotullimit me shenjat përkatëse të komunikacionit dhe ndriçimi i paktë i kësaj pjese, është raportuar nga organet përgjegjëse dhe ekspertët e komunikacionit, të kenë qenë arsyet e shumë aksidenteve në këtë pikë.

Bile aksidentet në këtë pjesë, dalin të jenë problem serioz edhe për bizneset dhe banorët për rreth këtij rrethrrotullimi. Atyre disa herë u janë futur në hapësirat e tyre private, veturat e aksidentuara.

Banorët për rreth, kanë nisur ta quajnë këtë vend si “rrethrrotullimi i taksirateve”, ngase aty për gati çdo ditë ndodh të paktën nga një aksident.

E pabesueshme nga gjithë kjo situatë del të jetë arsyetimi i komunës, ata thonë se aksidentet në këtë pjesë po bëhen kryesisht nga njerëz që janë në ndikim të alkoolit. Ndërsa e gjuajnë ‘topin’ tek ministria e Infrastrukturës, të cilëve ata nuk i janë drejtuar as me një kërkesë me shkrim, për arsye të paditura deri tash. Ndodh të mos kenë pasur kohë, dhe deri sa ta gjejnë kohën, numri i aksidenteve në këtë pjesë kyçe që ndërlidh dy kryeqytetet Prishtinën dhe Shkupin, vazhdon të jetë i madh.

Dy javë me radhë, KosovaPress ka pritur përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët nuk kanë kthyer asnjë lloj përgjigje për këtë temë, duke mos e dhënë të paktën as një “no comment”.

Deri tash, as Komuna e Ferizajt dhe as Ministria e Infrastrukturës, nuk kanë lëvizur në përmirësimin e kushteve të komunikacionit në këtë pjesë, edhe përkundër kërkesave me shkrim nga Policia dhe disa organizata të Shoqërisë Civile.

Këta të fundit, i thanë KosovaPress-it se në këtë rrethrrotullim problem kryesorë janë  ndriçimi, i cili mungon, dhe sinjalizimi jo i mjaftueshëm.

Komuna e Ferizajt thotë se arsye e shumë aksidenteve po vijnë sidomos për shkak të mos respektimit të shenjave të komunikacionit. Madje, të aksidentuarit në këtë rrethrrotullim, sipas zyrtarëve të Komunës, dalin se po janë nën ndikim të alkoolit. Të paktën kështu e thotë zyrtari për Komunikacion në Komunën e Ferizajt, Arsim Aliu.

Ndërsa, togeri nga rajoni i Policisë në Ferizaj, Brahit Shatrolli tha se sa i përket rrethrrotullimit i cili lidh rrugën Vëllezërit Gërvalla me magjistralen, është një prej vendeve që ka regjistruar një numër të konsiderueshëm të aksidenteve edhe në vitin 2015 por edhe në vitin 2016.

Në anën tjetër, edhe shoqëria civile janë mjaftë të shqetësuar për aksidentet që po ndodhin kohëve të fundit .Drejtori i organizatës Avonet ,Kenan Gashi tha se ky rrethrrotullim është ndër më të rrezikshmit në Kosovë.

Ai gjithashtu tha se Avoneti ka vlerësuar që sa më shpejt duhet të ndërhyhet dhe të njëjtën kohë të sinjalizohet dhe të rritet ndriçimi në këtë lokalitet, sidomos për shkak të rëndësisë që ka në lidhjen e dy kryeqyteteve Prishtinë-Shkup.