Ratifikimi i Demarkacionit mund të prodhojë trazira të reja në vend

Kuvendi i Kosovës pritet që këtë javë ta ketë në shqyrtim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, në një seancë të rregullt plenare e cila nesër do të bëhet e ditur se kur do të mbahet.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe një grupi të ekspertëve, pozita është e vendosur që sa më parë të kryejë çështjen e kufirit me Malin e Zi, i cili ka mbetur si kushti i vetëm i pa plotësuar sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave.

Për ratifikim e kësaj marrëveshje, Kuvendit i nevojiten 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm në sallë.

Njohësi i çështjeve politike, Arben Qirezi i ka thënë Telegrafit se ende mbetet e paqartë se si do të jetë rezultati i votimit në Kuvend.

“Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një marrëveshje kontradiktore, do të jetë e vështirë që në Kuvend të bëhen 2/3 e votave të nevojshme. Konsideroj se do të ishte e dëmshme që të ratifikohet një marrëveshje e kësaj natyre çfarë është kjo për Demarkacionin me prani të kundërshtimeve aq të fuqishme, si politike, sociale, ashtu edhe profesionale”, ka thënë Qirezi.

Ai ka theksuar se marrëveshje të tilla mund të prodhojë mospajtime të mëdha, dhe një gjë e tillë sipas tij nuk duhet të ndodhë.

“Kësi lloj marrëveshjesh nuk duhet të jenë burim i ndarjeve dhe mospajtimeve, çka rrezikon të prodhojë marrëveshja siç është tani. Duhet të ekzistojë pranim i gjerë i vijës kufitare në mënyrë që të jetë një ratifikim normal i saj nga Kuvendi”, theksoi Qirezi.

Edhe analisti, Imer Mushkolaj ka thënë se Demarkacioni mund të ratifikohet, po që se koalicioni qeveritar i ka votat.

“Kjo mund të shkaktojë pakënaqësi e protesta, por nëse votat janë të mjaftueshme, koalicioni qeveritar do ta gjejë gjithsesi mundësinë dhe formën që marrëveshjen ta ratifikojë”, tha Mushkolaj për Telegrafin.

Në anën tjetër në subjektin më të madh opozitarë, në Lëvizjen Vetëvendosje vazhdojnë të jenë këmbëngulës se ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi është i papranueshëm.

Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi ka thënë se do të angazhohen maksimalisht që të mos e lejojnë ratifikim e kësaj marrëveshje.

“Insistimi i qeverisë në një marrëveshje që Kosovën e lë me mbi 8000 hektarë territor më pak, është absurd, arrogant dhe i papranueshëm. Qeveria që në tryezë u dëshmua me fakte e ekspertiza që kishte gabuar, tash në mungesë argumentesh po përpiqet që dhunshëm ta miratojë demarkacionin. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të angazhohet maksimalisht që të mos e lejojë ratifikimin e kësaj marrëveshje”, tha Krasniqi.

Krasniqi më tej theksoi se aktivitetet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe të fuqishme se sa në të kaluarën.

“I bëjmë thirrje qeverisë që të reflektojë dhe të tërhiqet, ngase situata në Kosovë po tensionohet për shkak të gabimeve të saj”, u shpreh Krasniqi.