Bordi dhe menaxhmenti i QKUK-së anulojnë tenderin 3-milionësh

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka marrë vendim të anulojnë tenderin në vlerë rreth tre milionë euro.

Tenderi “Pastrimi i brendshëm i hapësirave spitalore” nuk e ka përkrahjen e menaxhmentit të këtij institucioni, edhe pse procedurat tenderuese janë kryer nga QKUK-ja, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori i QKUK-së, Curr Gjocaj, para disa ditësh ka konfirmuar për gazetën se kërkesa e tij dhe e Bordit të QKUK-së është që ky tender të anulohet.

Arsye e anulimit të këtij tenderi është se çmimi është më i lartë sesa mjetet që QKUK-ja i ka në dispozicion.

Por drejtuesi i njërës nga kompanitë fituese, “Selmans Networks”, ka paralajmëruar këtë institucion se do ta ndjekë ligjërisht nëse merr një vendim të tillë.