Kryetari Bahtiri takoi përfaqësuesit e shqiptarëve nga KK i Mitrovicës së veriut

Kryetari i Mitrovicws, Agim Bahtiri, ka pritur sot në takim përfaqësuesit shqiptarë të lagjeve veriore, këshilltarë në Kuvendin e Komunës në Mitrovicën Veriore, Lumni Xhaka, Gëzim Alushi dhe Nexhat Uglanin, me të cilët ka biseduar për situatën e përgjithshme në të dyja komunat, me theks të posaçëm për situatën e sigurisë dhe zhvillimet e fundit lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër.

“Ishte vlerësim i përbashkët, se situata e përgjithshme në qytetin e Mitrovicës, duke përfshi këtu edhe atë të sigurisë, falë kontributit të qytetarëve të të dyja komunave dhe të gjitha përkatësive etnike, është gjithnjë e më e relaksuar, e qetë dhe pa incidente që do ta përkeqësonte atë”, ka thënë Bahtiri.

Sipas njw njoftimi, thuhet se pjesëmarrësit në takim thanë qe për rënien e madhe të  aktiviteteve kriminale dhe  atyre joligjore, meritat më të madha i kanë vet qytetarët, por edhe organet e rendit e të sigurisë dhe subjektet politike, të cilat kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme me qëllim të stabilizimit të plotë të gjendjes në qytet.

Kryetari Bahtiri dhe këshilltarët shqiptarë të Kuvendit të Komunës të Mitrovicës Veriore, mirëpritën marrëveshjen e re të arritur në Bruksel për fillimin e punëve për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër gjatë këtij muaji dhe përfundimin e punimeve në afatin kohor prej gjashtë muajve.

“Çështja e rivitalizimit të urës dhe heqjes së barrikadave në të gjitha pjesët e qytetit është prolonguar deri tash pa arsye dhe kjo i ka irrituar pa masë qytetarët e të dyja komunave. Ne shpresojmë se kësaj radhe do të mbahet fjala dhe qytetarët e automjetet do të lëvizin e qarkullojnë lirshëm mbi urë dhe në të gjitha rrugët e qytetit pas gjashtë muajsh”, u tha në takim.

Si kryetari Bahtiri, ashtu edhe këshilltarët Xhaka, Alushi dhe Uglanin, u zotuan se do të japin kontributin e tyre maksimal për të ndihmuar procesin e rivitalizimit të urës dhe largimin e të gjitha barrikadave nga rrugët e qytetit, në mënyrë që ai të shkoj mbarë dhe pa probleme.

Ata me këtë rast apeluan edhe tek qytetarët e të gjitha përkatësive etnike, që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim dhe kështu të mundësojnë krijimin e kushteve për të lëvizur pa pengesa në të gjitha drejtimet.

Në takim nuk ishin të pranishëm këshilltarët shqiptarë të PDK-së, të cilët nuk arsyetuan mosardhjen e tyre.