Tri rrëfime në “DokuFest” prekin historinë njëshekullore të shqiptarëve

 

Nata e tretë e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, solli tri tregime të ndryshme për Kosovën përmes historive që zënë vend brenda një shekulli, shkruan Koha.

Njëri i dha publikut një rrëfim për traditën shqiptare në vitin 1910, tjetri për sistemin paralel gjatë viteve ’90, ndërsa i fundit për një dukuri që zë vend në ditët e sotme.

Dokumentari “Daullet e rezistencës” me skenar të Besa Lucit e nën regji të Mathieu Jouffres, pjesë e garës “BalkanDox”, dhe dy filmat e shkurtër – “Fjala e dhënë” i regjisorit Ujkan Hysaj, e “Anestezioni” i Noar Sahitit pjesë e programit special “New Kosovo shorts” – patën premierën kosovare të dielën.

Dy filmat nuk janë pjesë e garës, dhe për këtë ka një arsye. Pjesëtarë të stafit të “DokuFestit”, janë të përfshirë në këto projekte. “Nuk duam të krijojmë korrupsion”, ka thënë Samir Karahoda, duke arsyetuar përse këta filma janë jashtë konkurrencës. Karahoda, përgjegjës për programin e filmave të shkurtër është në rolin e kinematografit në filmin e Hysajt. Tri produksionet janë të mbështetura nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Secili prej tyre la përshtypje të ndryshme te publiku, i cili në numër të madh i përcolli të tri premierat, ani pse moti me shi i detyroi që të barten prej kinemasë “Lumbardhi” në Shtëpinë e Kulturës. Përveç kësaj “aventure” të vogël nuk munguan as lotët. Veçmas për “Daullet…”