Veseli: Hedhja e mjetit shpërthyes në shtëpinë e Murat Mehës, akt i dënueshëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se hedhja e mjetit shpërthyes në shtëpinë e Murat Mehës, është paralajmërim shqetësues i tendencave që synojnë të nëpërkëmbin shtetin ligjor në Kosovë.

Veseli në një deklaratë për media ka thënë se akte të tilla të rënda duhet të marrin përgjigjen e merituar ligjore nga mekanizmat shtetërorë të sigurisë dhe drejtësisë, e jo të mbesin anonime dhe të pandëshkuara.

Deklarata e plotë:

Hedhja e mjetit shpërthyes në familjen e z.Murat Meha përbën një akt të dënueshëm dhe njëherit një paralajmërim shqetësues të tendencave që synojnë të nëpërkëmbin shtetin ligjor në Kosovë.

Akte të tilla të rënda, që në kundërshtim edhe me moralin e popullit tonë, nuk hezitojnë të cenojnë integritetin e familjes, duhet të marrin përgjigjen e merituar ligjore nga mekanizmat shtetërorë të sigurisë dhe drejtësisë, e jo të mbesin anonime dhe të pandëshkuara.

Qytetarët tanë duhet të kenë besim se shteti i Kosovës është në gjendje të plotë për të garantuar sigurinë e tyre, rendin publik dhe sundimin e ligjit./PrishtinaPress.eu