Aleksander Lumezi për përgjimet: Askush s’është i paprekshëm para ligjit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i është përgjigjur letrës së 23 organizatave joqeveritare, pas kërkesës së tyre për hetime ndaj atyre që keqpërdorin pozitën shtetërore për nepotizëm e rehatime të militantëve partiakë, që dolën në shesh skandalit “Dosja e shefave”.

Ai ka garantuar se Prokuroria do të veprojë në pajtim me ligjin dhe rastin do ta trajtojë me përkushtim maksimal dhe profesionalizëm, raporton Gazeta Express.

Askush s’është i paprekshëm para ligjit, ka deklaruar Lumezi.

Kjo është letra e plotë që ka dërguar Kryeprokurori i Shtetit në adresë të mediave:

“Ju falenderoj për shkresën tuaj të cilën e kam lexuar me vëmendje dhe njëkohësisht ju falënderoj sinqerisht për bashkëpunimin e deritanishëm ndërsa që gjej nga përmbajtja e shkresës suaj se shqetësimet e ngritura nga ana juaj janë legjitime dhe në të vërtetë janë shqetësime të gjithë opinionit në Kosovë.

Dëshiroj që tu informoj se në linjë me deklarimin tim në konferencën e ftuar për gazetarë të datës 03.08.2016, kam pranuar ndërkohë opinionin e prokurorit ndërkombëtar të rastit e më pas, po të njëjtën ditë kam formuar Komisionin e Prokurorëve në përbërje prej dy prokurorëve të PSRK-së dhe një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, detyrë e të cilëve është analizimi dhe vlerësimi i të gjitha materialeve-transkripte origjinale të përgjimeve të telekomunikimeve, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në aktakuzën e ngritur, kundër ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, nga ana e prokurorit ndërkombëtar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjetjet e Komisionit të Prokurorëve do të analizohen dhe më pas do të pasohen me veprime tjera konkrete, sipas nevojës.

Ajo që mund të garantoj është se do të veprojmë në pajtim me ligjin dhe rastin do ta trajtojmë me përkushtim maksimal dhe profesionalizëm. Si Kryeprokuror i Shtetit siguroj se askush nuk është i paprekshëm dhe nëse gjejmë se ka elemente se janë kryer vepra penale, atëherë Prokurori i Shtetit do të veproj me gjithë forcën e ligjit dhe personat përgjegjës do ti nxjerrë para ligjit. Në këtë drejtim ne kemi qenë dhe jemi të pakompromis dhe nuk ka asnjë rëndësi as emri dhe as pozita që mund të kenë të dyshuarit eventual dhe se do të hetojmë të gjitha veprimet e zyrtarëve që ndërlidhen me ndonjë vepër penale dhe me përgjimet e publikuara.

Po ashtu, e kuptoj se publikimi i këtyre përgjimeve ka shkaktuar shqetësim tek qytetarët e vendit, andaj me këtë rast shfrytëzoj rastin t’iu siguroj ju por edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Prokurori i Shtetit do të veproj në pajtim të plotë me ligjet dhe në veçanti me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, në pajtim me nenin 49 paragrafi 1 nënparagrafi 1 dhe se do të përfaqësojmë interesat publike para gjykatave të vendit dhe nëse gjejmë elemente të mjaftueshme se janë kryer vepra penale, ndaj përgjegjësve të tillë do të kërkojmë urdhërimin e të gjitha masave në pajtim me këto kode.

Për të gjitha veprimet e ndërmarrë nga ana e Prokurorit të Shtetit ne do ta mbajmë opinionin të informuar për aq sa lejon konfidencialiteti i hetimeve.

Ndërsa, në fund fare më lejoni që t’iu informoj se tashmë ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me AKK-në sa i përket pikës së fundit të shkresës suaj, që ka të bëj me emërimet politike në bordet e ndërmarrjeve publike dhe kemi ndërmarrë disa veprime konkrete kurse në kohën e duhur do të veprojmë në përputhje me dispozitat ligjore.”