Çmimet e inputeve bujqësore bien për 1.4%

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për TM2 2016.

Sipas ASK-së, publikimi bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, barnatoret veterinare, në kompani, në tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) nga ASK.

“Produktet, që e përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajëra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Sa i përket Input 2, mallra dhe shërbime që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat (ndërtesat e fermës, punët e tjera, përveç përmirësimit të tokës, ndërtesat e tjera, struktura e tyre) dhe të tjera”, bëjnë të ditur në ASK, shkruan Telegrafi.

Indeksi i tremujorit të dytë të inputeve në vitin 2016 ka rënie për (-1.4%) për Input 1, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. “Ndërsa, Indeksi për Input 2 ka rritje për 11.1%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Ndërkaq, Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rritje për 3.4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015”, njofton ASK-ja.