Komuna e Prishtinës me zgjidhje afatgjate për librarët ambulantë

Një kombinim materialesh siç është çeliku, druri e xhami do të shfrytëzohen për të ndërtuar kioskat që pritet t’i përmbushin kërkesat e librashitësve ambulantë, të cilët kishin refuzuar të sistemoheshin në ato që u vendosën në shesh para tre vitesh në kryeqytet, shkruan Koha Ditore.

Tetë kioska, secila prej 3 metrash katrorë, me formë të thjeshtë gjeometrike, sipas projektuesit që fitoi konkursin e Komunës së Prishtinës për “Këndin e librit”, do të jenë lehtë të qasshme për klientët. Siç shihet edhe nga maketet, projektuesit kanë menduar edhe për komunitetin me nevoja të veçanta. Varësisht prej kushteve klimatike, ato parashihet të mbyllen dhe të hapen lehtë. Njëri prej kritereve ka qenë që të plotësohen edhe kërkesat e librashitësve ambulantë.

Ndërtimi i një kioske të tillë do të kushtojë 5 mijë e 700 euro. Në total, i bie se Komuna e Prishtinës do të shpenzojë edhe 45 mijë e 600 euro për të bërë zgjidhje përfundimtare për librashitësit ambulantë. Për tezgat, në të cilat librashitësit asnjëherë s’kishin pranuar të sistemoheshin, Komuna e Prishtinës, e qeverisur nga ish-kryetari Isa Mustafa, kishte paguar 4 mijë e 800 euro. Ato qenë vendosur në shesh më 2013 dhe ishin dëmtuar ende pa u shfrytëzuar. Aktualisht ato ndodhen në depo të ndërmarrjes “Hortikultura”.

Kompania projektuese “Studio 11” tashmë është në proces të finalizimit të marrëveshjes me Komunën e Prishtinës për të zhvilluar procedurën e mëtejme. Megjithatë, as përfaqësuesit e kompanisë e as zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk japin një datë përfundimtare se kur do të finalizohet puna rreth ndërtimit të kioskave, vendosjes së tyre në sheshin “Zahir Pajaziti” e atë “Nënë Tereza”, si dhe sistemimin e librarëve në to.

Arkitekti Besmir Hasi, nga kompania që në maj doli fituese për hartimin e projektit që u pagua me 1 mijë e 200 euro, ka dhënë detaje lidhur me materialet që të shfrytëzohen për të ndërtuar kioskat.

Erzen Vraniqi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka thënë se kontrata për konkursin e “Këndit të librave” është nënshkruar qysh më 14 qershor./PrishtinaPress.eu