Nata e katërt e “DokuFestit” me katër premiera kombëtare

Ekrani i madh i “DokuKino Pllato” që ndryshe përshkruhet edhe si vendi ideal për të përjetuar perëndimin e diellit në qytetin antik të Prizrenit, u ndez të hënën mbrëma për të shfaqur katër premierat e filmave në kategorinë “National shorts”.

Rreth 200 veta zunë vend në ulëset e hekurta për të parë realizimet e regjisorëve shqiptarë. Për një orë e dhjetë minuta atyre iu servuan tema të ndryshme. Nisi me filmin “Një pikë gjaku” nën regji të Bekim Gurit. Tema që ai ka përzgjedhur të trajtojë në këtë film është goxha dramatike: një baba torturues dhe nëna me dy vajza të cilat janë viktima të dhunës në familje. Një letër dhe një fishek bëhen sebep i debatit mes të bijave dhe nënës. Ajo letër i dedikohet familjes së të fejuarit të vajzës së vogël të cilën e kanë “dhënë” qysh në djep.

E me këtë letër babai dëshmon se është koha që vajza e tij të martohet, ndërsa me fishekun në pajë i jep lejen dhëndrit që ta vrasë atë nëse ajo nuk është e ndershme. Kur vajza (My-Linda Kosumoviq) tenton të largohet nga shtëpia, nëna e saj (Ilire Vinca) e ndalon. “Do të na vrasë të triave nëse të dëgjon”, i thotë ajo së bijës, duke u munduar ta bindë që të mos largohet. Derisa të dyja diskutojnë për këtë çështje, vajza e madhe (Fitore Broqi) i ndalon për të shpalosur një sekret.

Në trup ajo mban shenjat e dhunës së babait të saj. Përveç dhunës fizike të shkaktuar ndaj vajzës së tij, ai edhe e ka përdhunuar atë. Rrëfimi i saj bëhet pika kyç e ngjarjes. Personazhi i Kosumoviqit futet në dhomën ku babai është në gjumë dhe filmi mbyllet me një çarçaf të gjakosur ta varur në tel. Në këtë formë regjisori e lë epilogun.

Pas kësaj drame të rëndë, publiku u relaksua me filmin e radhës, një portret i pensionistit shqiptar të quajtur Mimi. Dokumentari i Eneos Çarkas mban të njëjtin titull si emri i personazhit. Krejt ndryshe erdhi dokumentari i tretë, i pari I llojit të tillë në Kosovë i cili në qendër të vëmendjes ka njërin ndër muzikantët më të mirë kosovarë. “A po t’hin n’vesh” është dokumentari i realizuar nga Ridvan Hamza, Adnan Beqiri dhe Ylli Selmani. Jazz pianisti, Ilir Bajri, bateristi Nesim Maxhuni, multiinstrumentalisti Visar Kuçi, reperi Taste2, DJ Labinot Sponca dhe këngëtarja e pianistja Edona Vatovci, janë personazhet e dokumentarit.

Programi u përmbyll me filmin “Performancë” nën regji të Dritëro Mehmetaj. Edhe në këtë film protagonist është May-Linda Kosumoviq. Filmi trajton jetën e dy studenteve të aktrimit të cilat zbulojnë fytyrën e vërtetë të industrisë, pjesë e së cilës përpiqen të jenë./Koha/PrishtinaPress.eu