PDK përkrah ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli, pas diskutimeve dhe dëgjimit të të gjitha argumenteve për procesin e shënjimit të vijës kufitare, ka vendosur unanimisht që të përkrah miratimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Konsolidimi i shtetit, partneriteti me ShBA-në e BE-në, dhe përshpejtimi i proceseve integruese për qytetarët tanë, është me rëndësi jetike për të ardhmen tonë perëndimore”, është thënë ndër të tjera në mbledhjen e kryesisë së PDK-së.

Sipas kësaj partie, shënjimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është një detyrim kushtetues dhe obligim ndërkombëtar që kontribuon drejtpërdrejtë në konsolidimin e sovranitetit, në integritetin territorial dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. /lajmi.net/PrishtinaPress.eu