Ahmeti – deputetëve: Mbroni interesat e shtetit e jo të partisë

Zërave të shumtë të figurave publike për kundërshtimin e versionit të tanishëm të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi i është shtuar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

Ahmeti u bën thirrje deputetëve të Parlamentit të Kosovës që të mos e votojnë Marrëveshjen për demarkacionin.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka thënë se deputetët mund ta dëshmojnë kontributin e tyre për shtetin, duke kapërcyer interesat, e madje edhe “kërcënimet partiake”.

Postimi i Ahmetit në Facebook:

“Pak ka raste në politikë kur deputeti mundet me dëshmu kontributin për shtetin. Demarkacioni është një prej ketyre çështjeve. Kontributi për partinë nuk i afrohet as për së afërmi kontributit për shtetin e kombin. Andaj të gjithë ata që kërcënohen me largim nga partia ta dijnë se kjo është asgjë në krahasim me mbrojtjen që mund të ja bëjnë interesave të shtetit. Pozitat e partitë vijnë e shkojnë, e shteti do të mbetet”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.