Rishikimi i buxhetit sakaton shëndetësinë

Personeli mjekësor i repartit të lindjes gjatë kujdesit të tyre ndaj pacientëve të cilët kanë nevojën e mbështetjes njerëzore dhe profesionale në Klinikën Gjinekologjike në QKUK në Prishtinë.

Deklarimet e Qeverisë së Kosovës se shëndetësinë e ka një nga pesë prioritetet po dëshmohet se nuk janë reale.

Me rishikimin që i ka bërë buxhetit Qeveria e ka zvogëluar shumën e buxhetit të ndarë për këtë sektor.

Ankesa për lënien anash të shëndetësisë sa i përket buxhetit për vitin 2016 pati në fillim të këtij viti edhe nga ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, por edhe nga menaxherë të institucioneve shëndetësore publike, shkruan sot Koha Ditore.

Rrahmani pati thënë se me rishikimin e buxhetit në gjysmën e vitit do të “përmirësojë gabimin” me shëndetësinë. Por, kjo nuk ka ndodhur.

Rishikimi i buxhetit e ka varfëruar edhe me shumë shëndetësinë. Vetëm QKUK-së si institucioni më i madh publik shëndetësor, me rishikim i janë marrë 2 milionë euro. Shkurtime të buxhetit ka edhe në segmente të tjera të shëndetësisë.

Me rishikimin e buxhetit nuk pajtohet as Ministria e Shëndetësisë (MSH).