Amerika ia tregon dhëmbët Serbisë në Rio, e mposht në basketboll

Në Olimpiadën e Rios në basketboll për meshkuj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar fitoren e katërt në po kaq ndeshje.

Ekipi i drejtuar nga Mike Krzyzewski ka triumfuar me shifrat 94-91 ndaj Serbisë duke mos shfaqur edhe njëherë tjetër nivelin e saj më të mirë.

Pas Australisë ishte Serbia që vuri në vështirësi serioze ‘Dream Team-in’ amerikan edhe pse përfaqësuesja ballkanase e nisi shumë keq sfidën.

Shtetet e Bashkuara krijuan një shkëputje të konsiderueshme që në fillim pasi në gjysmën e periodës së parë kryesonin me shifrat e thella 23-5, megjithatë Serbia reagoi shumë mirë dhe deri në fund arriti ta ngushtonte ndjeshëm rezultatin.

Amerikanët të cilët e kishin siguruar që më herët kualifikimin iu falën lojës së mirë të basketbollistit të Cleveland, Kyrie Irving për të mposhtur Serbinë.

Një hap të sigurt drejt kualifikimit në çerekfinalet e Olimpiadës së Rios në basketboll për meshkuj e hodhi edhe Franca që në ndeshjen e saj të katërt në grupin A, shkatërroi Venezuelën me shifrat 96-56. Të thjeshtë e pati edhe Australia që mposhti me rezultatin e thellë 93-68 Kinën.