Agim Bahtiri: Unë jam zot shtëpie në Mitrovicë

U hoqën të gjitha dilemat. Ashtu sikur që ishte paralajmëruar, të dielën në ora 10:00, filluan punimet për rivitilzimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, projekt ky i financuar nga BE-ja, realizuar sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Fillimisht kompania “Jehona”, e kontraktuar për largimin e barrikadës, largoi rrethojat në cepin jugor të urës, për të fillua më pastaj punën ekskavatorët dhe kamionët për largimin e pishave të mbjella dhe dheut të vendosur nga serbët në cepin verior të urës.

Fillimin e punëve e përcolli nga afër kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ndërsa që qindra qytetarë dhe një numër i madh i medieve ndodheshin aty për tu bindur në fillimin e punëve për rivitalizimin e urës. Fillimi i punëve u mirëprit nga qytetarët dhe me këtë rast nuk pati as më të voglin problem, transmeton Telegrafi.

“Sot është një ditë e mirë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Siç po shihni, erdhi radha që barrikada të largohet, sepse ura nuk është vend i barrikadave, por shërben për ofrimin e njerëzve. Menjëherë pas largimit të barrikadës dhe pastrimit të urës, do të filloj rivitalizimi i gjithë urës, për të bërë të mundshëm bashkimin e qytetit dhe të qytetarëve, që ata të lëvizin e qarkullojnë lirshëm, bashkë me automjetet dhe mallrat e tyre. Dhe kjo do të ndodhë në janar të vitit të ardhshëm, kur është afati për kryerjen e punëve”, tha ai.

Kryetari Bahtiri natyrisht se nuk harroj t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të veriut dhe të jugut, për të cilët tha se me sjelljet dhe maturinë e tyre kanë krijuar stabilitet në qytetin e Mitrovicës.

“Natyrisht se nuk është harruar as rindërtimi i xhamisë që ka ekzistuar këtu në cepin verior të urës. Ne kemi konstatuar në Bruksel se vendi ku ka qenë xhamia është pronë e Bashkësisë Islame dhe xhamia do të fillojë së ndërtuari aty në një kohë të përshtatshme jo të largët”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa i pyetur nga Klan Kosova se përse nuk kishte zyrtarë nga Mitrovica e Veriut tek ura kur fillojë largimi i “parkut të paqes”, Bahtiri tha se “në Mitrovicë zot shpie është kryetari i Mitrovicës”.