Komisioni Shtetëror: Dokumenti zyrtar nga Komuna e Pejës është pa Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën (Dokument)

Sipas Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror territori i Kosovës është i përbërë nga territoret e komunave dhe vija përkufizuese e Komunës është vijë administrative.

Shuma e sipërfaqeve të komunave e përbëjnë sipërfaqen e përgjithshme të Kosovës. Vija administrative ndërmjet komunave kufitare Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës dhe komunave Plavë, Beran e Rozhajë të Malit të Zi ishin dhe janë njëkohësisht vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në gjithë periudhën 1974-2015. Kjo vijë administrative ka ngelur e pandryshuar, e pranuar dhe të administruara nga kryetarët e Komunave kufitare Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës, thuhet nga ky komision.

Sipas tyre asnjë plan zhvillimor e strategjik i këtyre komunave nuk ka kaluar përtej vijës administrative të territorit të komunës. Në të gjitha dokumentet komunale si për vijën e kufirit dhe të sipërfaqes nuk ka ndryshim dhe nuk e kanë paraqitur as kryetarët e komunave të cekura më herët.

Planet zhvillimore lokale janë të vlefshme për territorin e Komunës. Komuna e Pejës, të gjitha planet zhvillimore dhe të tjera i ka të planifikuara vetëm brenda kufirit administrativ në 70 zonat kadastrale të saj, transmeton Indeksonline.

Po ashtu sipas tyre sipërfaqja e Komunës se Pejës me të gjitha zonat kadastrale, shkruan në dokumentet e planeve zhvillimore dhe strategjike është 603km 2.

Njëkohësisht, ky kufi i paraqitur në hartën poshtë ishte kufi administrativ ndërmjet Komunës së Pejës dhe Komunës së Plavës e Rozhajës të Malit të Zi.

Vija administrative Kosovë-Mal i Zi, tani kufiri i Republikës së Kosovës me Malin e Zi është identik me kufirin e shënuar nga komisioni shtetëror, thuhet nga ky komision.

Komuna e Pejës ka përgatitur planin zhvillimor të quajtur “Strategjia Zhvillimore Lokale” në Mars të vitit 2009 nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës z. Ali Berisha. Projekti ishte i mbështetur nga BE-ja si shihet edhe logo në vazhdim. Kopja e këtij dokumenti zyrtar është i deponuar edhe në BE.

Kryetari i Komunës se Pejës z. Ali Berisha në faqe 2, për Strategjinë e Zhvillimit Lokal i falënderon mbështetësit dhe ekspertët dhe këtë strategji e quan “…dokument të rëndësisë së veçantë” për Komunën e Pejës. Shih në vijim fjalën e Kryetarit nga faqe 2 e Strategjisë të Zhvillimit Lokal.

“Në këtë kontekst kam kënaqësinë t`iu përgëzoj për punën që keni bërë në përgatitjen e, duke shfrytëzuar rastin këtu të falënderoj si mbështetjen financiare të Komisionit Evropian ashtu edhe implementuesin e këtij projekti, BDPA-në”.

“Edhe një herë, iu përgëzoj për përgatitjen e këtij dokumenti të rëndësie të veçantë për Komunën e Pejës, i cili trason një rrugë me rëndësi por, njëkohësisht, shumë sfidues për Komunën e Pejës. Me këtë rast nga ana e ime dhe e stafit tim, zotohem se do të ekzistojë në vazhdimësi mbështetje institucionale për arritje të objektivave të kësaj strategjie”.

Deklarata e kryetarit të Komunës se Pejës është bashkëngjitur në vijim, së bashku me kopertinën e Strategjisë zhvillimore lokale e vitit 2009 Pejë.

Në këtë projekt shumë qartë janë dy gjëra. E para në faqe 22, kapitulli 3.1 Pasqyrë e shkurtër e Komunës së Pejës, Zona dhe Popullsia.

“Qyteti i Pejës gjendet në qendër të pjesës më perëndimore të Kosovës, rrëzë “Bjeshkëve të Nemuna‟ që ngritën mbi Grykën e Rugovës. Komuna e Pejës është e ndarë në 27 bashkësi territoriale që përfshijnë gjithsej 76 fshatra. Komuna përfshin 603 km² me një popullsi prej rreth 160.000 banorë”.

Nëse Komuna e Pejës do të kishte humbur territor siç pretendohen 82 km 2 tani Komuna ePejës do t’i kishte 521 km 2 , ndërsa nëse i bashkohen 82 km 2 që pretendohen, Komuna e Pejës do t’i kishte 685 km 2 . Natyrisht, edhe Republika e Kosovës do t’i kishte 10988 km 2 . Kosova këtë sipërfaqe nuk e kishte asnjëherë.

E dyta, në faqe 23, çështje e rëndësishme në këtë Strategji zhvillimore lokale 2009 është harta e Pejës e që ndërlidhet drejtpërdrejti me vijën kufitare ndërmjet Komunës së Pejës, Republika e Kosovës dhe Komunës se Plavës e Malit të Zi.

Në këtë hartë shihet kufiri i komunës, kufiri i Krahinës dhe kufiri ndërkombëtar ashtu siç është shënuar në legjendën e kësaj hartë (cepi i djathtë lartë në hartë). Harta e këtij dokumenti zyrtar nga Komuna e Pejës është pa Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën. Harta zyrtare e Pejës e paraqitur në projektet e strategjive për zhvillim ekonomik si është “Strategjia Zhvillimore Lokale” ka edhe kufirin e Komunës se Pejës, natyrisht kufiri i Republikës së Kosovës me Malin e Zi është pa asnjë ndryshim në periudhën 1974-1988- 2008-2015.

Në përpilimin e kësaj Strategjie për Zhvillim Lokal të Pejës ishin të angazhuar mbi 50 ekspertë nga stafi i Komunës se Pejës dhe të tjerë për qëllime të ndryshme profesionale.

A është e mundur që në vitin 2009, kryetari i Komunës se Pejës, z. Berisha të jetë aq i entuziazmuar me strategjinë apo dokumentin e veçantë, dhe me mbi 50 ekspertë të angazhuar dhe fare nuk e kishte në strategji Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën?

Prapë shtrohet pyetja, a thua gjithë këta ekspertë lokal dhe dy (2) ish kryetarët e Komunës së Pejës, z. Ali Lajçi dhe z. Ali Berisha që i përpiluan dhe i aprovuan dokumentet zyrtare e strategjitë zhvillimore të Komunës se Pejës, të cilët i quajtën “…dokument të rëndësisë së veçantë”, pse e lanë jashtë dhe nuk parapanë që ta zhvillojnë Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën??!!

Harta e komunës se Pejës nga Strategjia e vitit 2009 pa Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën Komuna e Pejës në fund të vitit 2009, kishte filluar zbatimin e një projekti digjital të quajtur GIS kabineti. Në këtë ëeb faqe paraqitet edhe harta e Komunës se Pejës me të gjitha 70 zonat kadastrale.

Kjo hartë e ëeb–GIS të Pejës e ka të njëjtën vijë të kufirit nga viti 1974-1988- 2008-2015. Kjo nënkupton se vija përkufizuese e Komunës se Pejës, Kosovës me Malin e Zi, është e njëjtë me atë që është shënuar nga Komisioni shtetëror.

Harta e komunës se Pejës nga projekti GIS nga viti 2009-2015. Ndoshta edhe ish kryetari z. Ali Berisha, sikurse ish paraardhësi i tij z. Ali Lajçi e kanë lënë që Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën ta vendosin në strategjinë e radhës pas viti 2025 sikurse të plani zhvillimor 2006-2025. Pa Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën

Kjo tregon, se ish kryetarët e Komunës se Pejës, z. Lajçi, z. Berisha dhe kryetari aktual z. Muhaxheri e kanë të qartë se kanë administruar e qeverisur me Komunën e Pejës me sipërfaqe 603km 2 me 70 zona kadastrale. Duke e ditur se janë të regjistruara pronat private, shtetërore, publike, fetare, atëherë Komuna e Pejës nuk përfshin territor tjetër. Mos të krijohet huti sepse ligjërisht është e ditur që nuk ka territor shtetëror jashtë komunave sepse territorine Kosovës e përbëjnë 38 komuna me zonat e tyre kadastrale.Komisioni shtetëror ka punuar me përpikëri dhe në bazë të dokumentacionit zyrtar për vijën kufitare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Malit të Zi të periudhës 1974-1988- 2008-2015.

Me këtë konfirmohet se Komisioni shtetëror nuk ka lënë asnjë metër katror jashtë territorit të Komunës se Pejës që ajo e kishte, përkatësisht nuk ka lënë asnjë metër katror jashtë territorit të Republikës së Kosovës, thuhet në një komunikatë për media./Indeksonline/