Policia i kundërpërgjigjet Berishës: “DokuFest” shembull për vendet e tjera

Policia e Kosovës, i është kundërpërgjigjur deputetit të NISMA-s, Zafir Berishës, në deklaratën e tij për festivalin e filmit “DokuFest” të cilin e cilësoi si “Doku Drogë”, duke thënë se edhe pse ka pasur raste që janë proceduar në polici, incidentet në fjalë nuk ia humbin vlerën festivalit.

Në një komunikatë drejtuar mediave, Policia e rajonit të Prizrenit thotë se rastet të cilat janë të raportuara në polici janë të lehta dhe se duke marrë parasysh numrin e madh të vizitorëve, festivali është për tu marrë shembull.

“Vlen të theksohet se incidentet e raportuara nuk i tejkalojnë  shifrat që raportohen zakonisht gjatë kohës së verës dhe kryesisht janë të natyrës së lehtë me të cilat është marrë policia dhe janë raportuar në prokurorinë e shtetit. Sipas të dhënave të marra nga DHTN në Prizren, për posedim të paautorizuar, shpërndarje dhe shitje e substancave narkotike gjatë Doku-fest-it 2016 janë iniciuar 19 raste dhe janë ndaluar me urdhër të prokurorit 5 persona kurse 14 të dyshuar ndiqen sipas procedurës së rregullt. Duhet cekur se bëhet fjalë për persona të njohur që më parë për policinë”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka vlerësuar se ka devijuar skajshmërisht misioni i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, Dokufest, në qytetin e Prizrenit.

Berisha ka thënë se kampet që hapen për këtë festival po shfrytëzohen për drogë, prostitucion dhe përdorim të alkoolit nga adoleshentët.

“DokuFest është bë arenë e bandave për ta përfituar terrenin për shitjen e drogave”, kishte shkruar Berisha në Facebook të dielën.