As pas 20 orësh bisedime, nuk arrihet marrëveshja për telekomunikacion në Bruksel

Edhe pas 20 orë bisedimesh, delegacioni i Prishtinës me atë të Beogradit në Bruksel nuk ka identifikuar të gjitha çështjet e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes për telekomunikacionin.

Në një deklaratë për RTS, shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se edhe pas shumë orësh bisedime, nuk është arritur ndonjë marrëveshje, transmeton Indeksonline.

Gjuriq ka theksuar se bisedimet që kanë nisur dje në orën 8:30 të mëngjesit, kanë përfunduar sot në 4:30 të mëngjesit, ku është diskutuar për disa pika, ku dy shtetet kanë mospajtime.

Sipas tij, delegacioni i Beogradit nuk ka lejuar rrezikimin e pronës së Republikës së Serbisë. Siç ka thënë Gjuriq, numri i çështjeve të paharmonizuara është zvogëluar, por delegacioni serb nuk ka lejuar rrezikimin e parimeve të cilat po të fuqizoheshin do të mund të përbënin presedan për bisedimet e ardhshme rreth kësaj çështjeje të rëndësishme.

“Ne kemi insistuar dhe në fund delegacioni ka mbetur i qëndrueshëm në mbrojtjen e interesave tona dhe asaj që dy kryeministrat kanë rënë dakord më 25 gusht të vitit të kaluar.  Pasi marrëveshja nga ana jonë është zbatuar, atëherë duhet të na mundësohet biseda me pjesët tjera të vendit pa e përdorur numrin e telefonit dhe sipas tarifave të tanishme, duke ruajtur numrat aktual të përdoruesve”, ka thënë Gjuriq.