Këshilli i Emërimeve: Presidentit i përfundon afati 5-ditor

Geramny Albania

Presidentit i përfundon sot afati 5-ditor për organizimin e shortit për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një organ i ri që ngrihet në kuadër të reformës në drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese.

Por, ashtu siç është bërë e njohur edhe më parë, ligji që përcakton detajet e organizimit të këtij shorti nuk ka kaluar ende dhe Presidenti Bujar Nishani sqaroi përmes një komunikate publike se nuk do t’i përmbahet këtij afati.

“Në këto kushte, procesi i përzgjedhjes do të ishte joefektiv, përsa kohë nuk është e qartë se kur do të miratohen ligjet e referuara. Presidenti i Republikës vlerëson se në përzgjedhjen e kandidaturave që do t’i nënshtrohen shortit, është e nevojshme që të merren në konsideratë dhe “kriteret e tjera”, të cilat Kushtetuta në pikën 5 të nenit 149/d i ka referuar në ligjin e posaçëm, i cili akoma nuk është miratuar”, thuhet në komunikatën e Presidentit, ku i bëhet thirrje Kuvendit që të kalojë sa më shpejt ligjet që plotësojnë Kushtetutën në këtë pjesë.

Lidhur me këtë vakuum ligjor, Presidenti u këshillua më parë me Kuvendin, që i sugjeroi që të priste miratimin e ligjeve që të ushtronte në mënyrë substanciale të drejtën e tij dhe zhvilloi edhe një takim me krerët e grupeve parlamentare.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore dhe sipas dispozitës kushtetuese përkatëse, këta anëtarë të zgjedhur me short do të duhet t’i nënshtrohen menjëherë rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë./TopChannel/