Komunave dhe Qeverisë rrallë u përputhen prioritetet

Në një tryezë të organizuar nga instituti “Riinvest” është publikuar të hënën studimi “Përputhshmëria e prioriteteve të Qeverisë qendrore më ato të qeverive lokale të rajonit qendër”.

Në këtë studim thuhet se në përgjithësi ka një përputhshmëri jo të lartë mes prioritete të komunave të rajonit qendër dhe prioriteteve të Qeverisë qendrore, shkruan sot Koha Ditore.

“Posaçërisht ka një mungesë të përputhshmërisë në kategorinë e zhvillimit të infrastrukturës dhe zhvillimit të bujqësisë. Në këto dy kategori përputhshmëria është vlerësuar si shumë e ulët në të gjitha komunat me përjashtim të zhvillimit të infrastrukturës në Graçanicë”, thuhet në studim.

Po ashtu përputhshmëria vlerësohet të jetë më e lartë (mesatare ose mbi mesatare) në kategorinë e zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe zhvillimit të industrive konkurruese për komunat e Prishtinës, Podujevës, Graçanicës.