Jahjaga: Përjetësisht mirënjohës ndaj SHBA-ve

Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se do të jemi përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që na mbështetën në përpjekjen tonë për të ndërtuar shtet të lirë dhe të pavarur.

Jahjaga këto komente i bëri pas ceremonisë së përurimit të rrugës “Beau Biden”, djalit të zëvendëspresidentit të SHBA-ve, Joe Biden.

Postimi i plotë:

Ne do të jemi përjetësisht mirënjohes ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që na mbështetën në përpjekjen tonë për të ndërtuar shtet të lirë dhe të pavarur. Kosova sot e dëshmoi që është aleati kryesor i SHBA-ve në rajon, duke vazhduar thellimin e miqësisë.
Jam jashtëzakonisht e lumtur që zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden me familje erdhën në Kosovë për të inaugurar rrugën dedikuar djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, i cili kontribuoi që në ditët e para të lirisë të ndërtojë institucionet e drejtësisë që do të forconin shtetin ligjor.
Do ta kujtoj gjithë jetën takimin me të, takim me shumë emocione, kur i dorëzova vendimin e emërimit të rrugës për nder të djalit të tij, si mënyrë e jona për të nderuar ata që besuan në fuqinë e shoqërisë tonë për të krijuar vend të lirë, të njerëzve te barabartë.