Mero Baze: Shqipëria të heq dorë nga paternaliteti ndaj Kosovës

Në Shqipëri ka disa gjëra që mbahen mend nga futbolli lokal. Mbahet mend sherri i tifozëve të Durrësit kundër atyre të Kavajës, sherri i tifozëve të Beratit kundër atyre të Kuçovës (Qyteti Stalin), sherri i Delvinës kundër Sarandës, etj. Ishte kultura e sherrit mes qytetit që ishte qendër rrethi, me qytetin tjetër.

Ky rivalitet është i vetmi që mund të pranohet në debatin Shqipëri-Kosovë për futbollin, duke rënë paraprakisht dakord, që Kosova e ka futbollin më të mirë se Shqipëria.

Ndërsa debati që ka shpërthyer përse po kthehen në shtëpi të tyre futbollistët e Kosovës, nuk është debat që ka lidhje me futbollin, por me debatin mbi identitetin e ri të Kosovës.

Debati, po rrëshqet pa shumë elegancë, tek debati i vjetër politik mbi identitetin e ri të Kosovës dhe distancat e fshehta Tiranë-Prishtinë. Zjarrin kësaj rradhe ia ka vënë kolegu Andi Bushati, i cili në të vërtetë nuk ka kundërshtuar aq shumë kthimin e Milotit apo Albanit në Kosovë, por ka kritikuar ikjen e tyre të zemëruar nga Tirana, për arsye profesionale dhe mveshjen e saj me një lloj proteste që dëshmon ndasinë mes dy shoqërive.

Kaq është dashur që debati të ashpërsohet dhe palët të rreshtohen “pro” dhe “kundër” Milotit dhe të ikurve të tjerë nga ekipet kombëtare drejt Kosovës.

Politikisht Shqipëria ka pritur me lot në sy pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, dhe tani nuk mund të vajtojë për ikjen e lojtarëve të Kosovës në shtëpi të tyre, pasi duket se, ose jemi gëzuar kot atëhere, ose po qajmë kot tani. Identiteti i ri i shtetit të Kosovës, po formohet dita ditës nga talentet e shoqërisë së Kosovës nga sportistët, këngëtarët, regjisorët etj., dhe si i tillë është debat që po nxit një lloj konkurrence mes dy shteteve shqiptare në Ballkan.

Shqipëria duhet të  heqë çdo mendësi paternalizmi për Kosovën dhe në rastin e futbollit, duhet dhe të pranojë epërsinë e Kosovës mbi të. Dhe këtu ky debat duhet të mbyllet. Ekipi ynë kombëtar është katandisur me 3 futbollistë nga Shqipëria dhe 8 nga Kosova dhe si i tillë, nuk është diçka që duhet të bëjë krenarë shqiptarët e Shqipërisë, të cilët janë 22 orë e 30 minuta në ditë kozmopolitë dhe 90 minuta nacionalistë, kur mbushin ekipin kombëtar me lojtarë nga Kosova.

Por brenda këtij debati ka dhe pak racizëm, që ka të bëjë, me një lloj antikosovarizmi që egziston në Shqipëri, një formë e racizmit shqiptar. Së fundmi e njëjta gjë po shfaqet dhe në Kosovë ndaj shqiptarëve të Shqipërisë. Të sjellurit si shoqëri superiore ndaj njëra tjetrës ato rrezikojnë të forcojnë këtë frymë ndasie, dhe po u ngjajmë disi atyre qyteteve provincialë të Shqipërisë, që përmenda më lart, ku një qytet ishte qendra, e qyteti dhe tjetri, qytet sekondar dhe kur bëheshin derbi, digjej qytetari.

Por debati real i yni në Tiranë, ose më mire të themi testi ynë real, duhet të ishte nëse Sadiku, apo Hysaj që janë sot yjet e Kombëtares dhe shqiptarë të Shqipërisë, mund të iknin me Kosovën. Pra debati do të ishte nëse kishte shqiptarë të Shqipërisë që donin të iknin me Kosovën, duke qenë të suksesshëm. Ky do të ishte akt patriotik, politik dhe emocional. Ky do të vlente të hapte debatin mbi sjelljen tonë politike, pra të shqiptarëve të Shqipërisë, ndaj identitetit të ri të Kosovës. Ky do të ishte rasti kur ne mund të zemëroheshim apo krenoheshim me atë që ndodhte. Mund të zemëroheshim si tifozë kuqezi dhe të krenoheshim si qënie politike. Por ajo nuk po ndodh! Dhe unë akoma nuk di nëse ia vlen të zemërohem apo të krenohem, me këtë që nuk po ndodh!