Stojanoviq: Vizita e Biden e rëndësishme – mbështetja amerikane duhet të vazhdojë

Vizitën e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden në Kosovë, por edhe në Serbi, Lista Srpska e vlerëson të rëndësishme.

Kjo, sipas zv.kryeministrit Branimir Stojanoviq, për faktin se do t’i kontribuojë stabilizimit të mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sipas tij, është po ashtu me rëndësi të veçantë që të vazhdojë mbështetja e deritanishme amerikane dhe njëherit së bashku të punohet në projektet konkrete.

“Sa më pak, apo fare kohë, të mos harxhojmë në simbolikë, por të shohim çka mund të bëjmë, të gjithë bashkë, për ta bërë jetën më të mirë. Është shumë e qartë se jeta nuk është aspak e lehtë dhe kushtet për qytetarët nuk janë aspak të mira”.

Duke u ndalur tek deklarimet e Biden për nevojën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Stojanoviq tha për radio Dukagjinin, se porositë ishin shumë të qarta.

Për fat të keq, sipas tij, në media dhe opinionin shqiptar, për këtë asociacion është folur më tepër në kontekstin negativ.

“Asociacioni është më se i nevojshëm në mënyrë që serbët të jetojnë dhe organizohen. Korniza në të cilën sot veprojmë nuk është e mjaftueshme, serbët po largohen, serbët po zhduken. Po largohen ata njerëz që kanë dëshirë të punojnë për pajtim, po largohen njerëzit që duhet të jenë lidhja e shëndoshë për pajtimin dhe ndërtimin e bashkëjetesës. Nëse mbesim pa këtë pjesë të popullatës, më të interesuarën për pajtim, mendoj se po hyjmë në një periudhë disa dekadash të kultivimit të marrëdhënieve negative”.

“Të gjithë jemi të lodhur nga konfliktet dhe ideologjitë, andaj duhet të përqendrohemi tek ajo që është e rëndësishme për njerëzit”, konsideron Stojanoviq, dhe ripërsërit se Asociacioni do të jetë i dobishëm jo vetëm për serbët, por edhe për shqiptarët dhe të tjerët që jetojnë në hapësirat me popullatë shumicë serbe.

Në këtë drejtim, sërish e veçon sistemin e shëndetësisë dhe shërbimet që në Beograd i kërkojnë edhe shqiptarët.

Me Asociacionin, thotë Stojanoviq, synohet të absorbohet dituria në këtë lëmi, duke punuar që në periudhë afatgjate të sillen këtu ekspertët, për të bartur përvojat e tyre tek mjekët e rinj serbë dhe ata shqiptarë.