Mustafa: Vizita e Bidenit tregon përkushtimin që SHBA-të kanë për Kosovën

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka folur lidhur me vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden. Ai tha se vizita e tij tregon qartë përkushtimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë për Kosovën

Ai tha se vizita e zëvendëspresidentit Biden është historike dhe tepër e rëndësishme për Kosovën.

“Vetë vizita, në esencën e saj, tregon përkushtimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë për Kosovën. Kosova është falënderuese për gjithë atë që Qeveria e SHBA-së dhe populli amerikan e kanë bërë për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin demokratik dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës”, tha Mustafa.

Kryeministri i vendit tha se përgjegjësia e Kosovës është e madhe, sepse karshi një partneri strategjik të Kosovës duhet të shtohen rezultatet konkrete në shumë fusha.

“Siç vlerësoi edhe zëvendëspresidenti  Biden, sukseset në Kosovë nuk do të jenë vetëm suksese të Kosovës dhe suksese për Kosovën, por ato do të reflektohen edhe në rajon dhe më gjerë, do t’i ndihmojnë mirëqenies, paqes dhe stabilitetit global. Duhet të kemi të gjithë parasysh se Kosova është një investim i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj karshi kësaj falënderimi ynë është ta bëjmë Kosovën një shtet të denjë për të qenë mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Mustafa.