Thaçi: Biden adresoi porosi për tërë rajonin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitës historike të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Kosovë, ka dhënë përshtypjet e tij në një intervistë për gazetën boshnjake “Dnevni Avaz”, duke thënë se porositë e Bidenit në Beograd dhe në Prishtinë i janë adresuar tërë rajonit.

“Vizita e zëvendëspresidentit Biden në Kosovë përbën një njohje të të arriturave në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm, por porositë e tij janë njëherësh thirrje për të shfaqur guxim dhe vullnet për marrjen e vendimeve të rëndësishme, të cilat nganjëherë mbase janë jopopullore për ca segmente të shoqërisë, që të lihet prapa e kaluara dhe të kthehemi nga një e ardhme më të mirë për të gjithë, në bashkëpunim dhe integrim”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes nga ana e BE-së dhe SHBA-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Për këtë arsye ‘Procesi i Berlinit’ është i rëndësishëm, si dhe fakti që BE nuk guxon të vonohet në përkushtimin e saj ndaj rajonit tonë”, ka thënë ai.

Duke komentuar kërkëesat konkrete të zëvendëspresidentit amerikan në lidhje me përkrahjen e SHBA-së për Kosovën dhe për zgjidhjen e çështjeve të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, presidenti Thaçi ka thënë se “zëvendëspresidenti Biden ka konfirmuar se Kosova është në rrugën e duhur”.

“Ky është një rikonfirmim i të arriturave të Kosovës në konsolidimin e shtetit dhe e rolit të saj në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, se janë forcuar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se është shënuar sukses në luftën kundër radikalizmit dhe terrorizmit. Gjithashtu, Biden e ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në rajon”, është shprehur Thaçi.

Në pyetjen se si i sheh ai zhvillimet në rajon, duke përfshirë edhe Bosnjë e Hercegovinën, në përputhje me porositë e Bidenit, presidenti Thaçi është përgjigjur se “edhe me një shikim sipërfaqësor nga Ballkani Perëndimor mund të konfirmohet imazhi i një rajoni të përhumbur nga e kaluara”.

“Por, nën atë sipqërfaqe vërehet se të gjitha shtetet e këtij rajoni janë stabile, ekzistojnë në paqe dhe sa janë të kthyera nga dialogu dhe bashkëpunimi. Ç’është e vërteta, gjithmonë ka përpjekje nga jashtë për t’i destabilizuar ato, por mendoj se të gjithë kemi mësuar, në një mënyrë mjaft të rëndë, se çfarë mund të shkaktojnë nacionalizmi dhe urrejtja”, ka thënë Thaçi.

Rruga dhe lapidari kushtuar “Boe Biden” do të forcojnë më tej lidhjen mes Kosovës dhe zëvendëspresidentit Biden

Në intervistën për gazetën boshnjake “Dnevni Avaz”, presidenti Thaçi ka thënë se vizita e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Kosovë ka qenë edhe e karakterit privat.

“Një rrugë në Kosovë ka marrë emrin e të birit të ndjerë të zëvendëspresidentit Biden, Beau Biden, i cili ka punuar për rindërtimin e sektorit të drejtësisë në Kosovën e pasluftës. Zëvendëspresidenti Biden ka ardhur me familjen e tij me këtë rast. Ajo rrugë, por edhe lapidari i ndërtuar në afërsi të bazës Bondsteel, do të jetë edhe një lidhje mes Kosovës dhe zëvendëspresidentit Biden, mikut të dëshmuar dhe përkrahësit të madh të Kosovës në dy dekadat e fundit”, përfundoi presidenti Thaçi.