Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Në lidhje me përgjimet e zyrtarëve të lartë të PDK-së, të cilat po vazhdojnë të publikohen, sot Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencën e radhës për media, me ç’rast u kërkua dorëheqja e menjëhershme e \”kokave të krimit\” – Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Deputetja dhe anëtarja e Kryesisë, Albulena Haxhiu, dhe anëtari i Kryesisë Ylli Hoxha, e quajtën të pamjaftueshme dorëheqjen e Adem Grabovcit nga Shefi i GP të PDK-së, duke kërkuar dorëheqje të tij nga çdo post publik, si dhe dorëheqje të ‘shefave’ të tij – Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Albulena Haxhiu, kapjen e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike e quajti aktivitet kriminal, që këtij pushteti i shërben jo vetëm për punësime familjare e partiake, por edhe për të kontrolluar shtetin dhe paranë publike.

“Përmes punësimit të militantëve dhe familjarëve në polici e gjyqësi, këta kriminelë e kanë marrë kontrollin mbi shtetin. Kjo ua mundëson atyre që të kryejnë krime pa rrezikun që do të ndëshkohen. Në anën tjetër përmes këtyre mekanizmave ata vështirësojnë opozitarizmin duke arrestuar, burgosur e kërcënuar kundërshtarët politikë”, tha ndër të tjera, Albulena Haxhiu.

Ajo përmendi poashtu përmendi raste, ku të punësuar nga PDK-ja në pozicione të rëndësishme kanë kryer vepra penale, duke rikujtuar falsifikimet e dokumenteve nga Arbenita Pajaziti në një rast të madh korrupsioni dhe aferat e Sali Mekajt.

“Këto përgjime po dëshmojnë që në Kosovë ndërmarrjet publike shërbejnë për të pasuruar një grup të vogël kriminelësh që janë në krye të shtetit, kurse sistemi shtetëror – veçanërisht policia, prokuroria dhe gjykatat – shërbejnë për të mbrojtur këtë organizim kriminal”, tha në fund të fjalës së saj, Albulena Haxhiu.

Nga ana tjetër, Ylli Hoxha deklaroi se pas përgjimeve,  Adem Grabovci fillimisht tha që s’ka bërë asgjë keq, thjeshtë paska punësuar njerëz, por kur presioni publik u rrit dhe nuk u ndal, u detyrua të pranojë fajin.

“Adem Grabovci duhet të japë dorëheqje nga të gjitha funksionet publike dhe partiake si dhe duhet të ndiqet penalisht. Adem Grabovci e kishte pranuar edhe vetë në njërin nga përgjimet që ai është thjeshtë ekzekutues i planeve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Asgjë në këtë aktivitet kriminal të ekzekutuar nga Adem Grabovci, nuk ka ndodhur pa planifikimin dhe dijeninë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ju e keni dëgjuar edhe në përgjime se si ai për të justifikuar veprimet e veta vazhdimisht u referohet bisedave me Thaçin dhe Veselin”, u tha nga Ylli Hoxha në këtë konferencë.

Në fund, Hoxha tha se dorëheqja e dy kokave të krimit është e domosdoshme në qoftë se duam një shtet ku do të ketë drejtësi e demokraci. Dhe poashtu, kërkoi mobilizim qytetar e shoqëror që do të detyronte Hashim Thaçin e Kadri Veselin të dorëhiqeshin.