Njeriu që fotografoi pesëvjeçarin sirian: Atë natë të gjithë qanin, ai nuk qante, ai nuk e tha asnjë fjalë! (Foto/Video

Një fotografi e Omran Daqneesh, i nxjerrë nga rrënojat pas një sulmi ajror në rrethinën e kontrolluar nga rebelët, në Qaterji, Aleppo, është parë nga miliona njerëz në mbarë botën.

Ky është rrëfimi nga Mahmud Raslan, fotografi i cili bëri fotografinë, rrëfim të cilin ua përcjell Telegrafi:

f222

Unë jetoj vetëm 300 metra nga sulmi. Vetëm pas orës 7 të mbrëmjes, pas lutjeve të mbrëmjes, kemi dëgjuar shpërthimet. Nxituam për atje me tre aktivistë të tjerë të medieve.

Gjëja e parë që pashë ishin trupa në tokë të cilët po barteshin me ambulanca. Ata ishin fqinjët e familjes së Omran. Ndërtesa ishte totalisht e shkatërruar – të gjithë gjashtë katet ishin shndërruar në gërmadha.

Pastaj i çova sytë për të parë një ndërtesë gjysmë të shkatërruar – shtëpinë e Omran.

Punëtorët e shpëtimit me helmeta, u ngjiten shkallëve të një ndërtese aty afër, pasi që shkallët e ndërtesës së Omran ishin shkatërruar. U bashkova për t’i ndihmuar.

I mbijetuari i parë që kapëm ishte Omran – mora aparatin dhe fillova të filmoja. Më vonë mësova se ishte vetëm katër vjeç.

Ishte shumë errësirë për të parë më mirë, por vazhdoja të filmoja.

Personeli i shpëtimit e morën djalin dhe e dërguan tek ambulanca dhe e ulën atë në karrige. Unë vazhdoja të filmoja.

Ishte koha kur e kuptova se sa i traumatizuar ishte djaloshi dhe vendosa që nga filmimi, të bëja një fotografi.

Lotët filluan të më rrjedhin derisa po bëja fotografinë. Kjo nuk është hera e parë që unë kam qarë. Kam qarë shumë herë, ndërsa filmoja fëmijët e traumatizuar. Unë gjithmonë qaj. Ne fotografët e luftës gjithmonë qajmë.

Atë natë të gjithë qanin. Omran më preku sepse ishte shumë i qetë. Ai nuk qante. Ai nuk e tha asnjë fjalë. Ai ishte i tronditur.

Mendova për vajzën time që kishte vetëm shtatë ditë që kishte lindur. Mendova me vete nëse do të kishte qenë ajo. Mund të ketë qenë çdo fëmijë në Aleppo apo Siri.

Ekipi i shpëtimtarëve vazhdoi me shpëtimin e familjarëve të tjerë. Motra e madhe e Omerit, e cila është 11-vjeçe mu lut të mos e filmoja. E fika aparatin dhe i thash: “Sigurisht e dashur, nuk do të filmoj”.

Falë Zotit e gjithë familja Omran janë të sigurt. Nëna e tij kishte disa lëndime të rënda në këmbët e saj.

Babai i tij pësoi një dëmtim të lehtë në kokë. Motra e tij shtatë-vjeçare iu nënshtrua një operacioni kirurgjik dhe ajo është duke bërë mirë.

Sot kur u zgjova, pashë se fotografia ishte shpërndarë në gjithë botën. Shpresoj se të gjitha fotot e fëmijëve dhe sulmet në Siri të shpërndahen në atë mënyrë kështu që bota ta dijë se çfarë jete zhvillohet këtu.

Nëse njerëzit do ta dinin se çfarë është duke ndodhur, ndoshta lufta do të ndalej. Ndoshta Omran dhe vajza ime, Amal, mund të jetojnë normalisht si të gjithë fëmijët në botë.