Thaçi: Faktet e reja dëshmojnë se Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit

Kosovo's foreign minister and former premier Hashim Thaci speaks during an interview with AFP in Pristina on February 3, 2016. Thaci told AFP he received a death threat purportedly from the leader of the Islamic State organisation over his opposition to the extremist group. / AFP / ARMEND NIMANI

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka theksuar sot se sa më shumë që afrohet dita kur Kuvendi i Kosovës pritet të ratifikojë shënimin e vijës kufitares mes Kosovës dhe Malit të Zi, aq më tepër Kosova po dëshmon vendosmërinë për të ardhmen e saj euroatlantike.

Sipas tij faktet e reja kanë dëshmuar se procesi i shënimit të vijës kufitare nuk ka pasur asnjë lëshim dhe, si përfundim, Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj.

Gjithashtu Thaçi ka ftuar të gjithë spektrin politik dhe deputetët e Kuvendit të ngrihen mbi çdo interes dhe logjikë provinciale, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi i plotë:

Sa më shumë që i afrohemi ditës kur Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ratifikojë shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, aq më tepër Kosova po dëshmon vendosmërinë për të ardhmen e saj euroatlantike. Faktet e reja dëshmojnë se procesi i shënimit të vijës kufitare nuk ka pasur asnjë lëshim dhe, si përfundim, Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj. Këto fakte hedhin poshtë në tërësi kauzat e rreme të kundërshtarëve të këtij procesi të cilët në vazhdimësi e kanë kundërshtuar atë për interesa personale dhe përfitime politike.

Ky zhvillim i ri pozitiv ka bërë që të fuqizohet vullneti politik i pjesës dërrmuese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta votuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. I gjithë opinioni publik dhe në veçanti deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë kuptuar në mënyrë të drejtë rëndësinë e këtij vendimi, i cili i hap Kosovës perspektivë të sigurt euroatlantike dhe fuqizon subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Edhe një herë ftoj gjithë spektrin politik dhe deputetët e Kuvendit të ngrihen mbi çdo interes dhe logjikë provinciale. Të veprojmë sa më të bashkuar për interesat e vendit. Këtë e presin qytetarët e Kosovës, këtë e presin miqtë tanë ndërkombëtarë. HTH./PrishtinaPress.eu