Kuvendi në “gjumë”, 17 seanca për 8 muaj

Kuvendi i Kosovës gjatë këtyre tetë muajve ka mbajtur vetëm 17 seanca, në të cilat ka miratuar 35 ligje apo 25 për qind të agjendës legjislative për këtë vit. Ndërsa në procedurë të miratimit janë 20 ligje, kurse në pritje 80 të tjera.

Deputetët e opozitës thonë se numri i vogël i seancave pas bojkotimit të punës së Kuvendit nga opozita dëshmon se koalicioni qeverisës nuk është serioz dhe se vendi ka nevojë për zgjedhje të reja të parakohshme, në mënyrë që të zgjidhet legjislacioni dhe qeveria e re, shkruan “Zëri”.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se fatkeqësia e kësaj legjislature janë Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi, pasi, sipas saj, nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve ka krijuar situatë kur puna e Kuvendit nuk mund të ishte më normale.

“Situata e krijuar pas këtyre dy marrëveshjeve e ka pamundësuar zhvillimin normal të punës së Kuvendit. Edhe pasi ne kemi dalë nga Kuvendi është vërtetuar se ne kemi pasur të drejtë kur kemi thënë se nuk mund të ketë normalitet në Kuvend derisa të anulohen këto dy marrëveshje. Edhe pasi kemi dalë ne, Kuvendi ka vazhduar me intensitet të ulët punën, ka pasur pak seanca dhe janë miratuar pak ligje”, është shprehur Haxhiu.