Serbia s’po i hap arkivat ushtarake për të pagjeturit

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia nuk po tregohet e gatshme që t’i hapë arkivat ushtarake se ku ndodhen personat e pagjetur nga Kosova, pasi që, siç thotë ajo, kanë qenë forcat ushtarake serbe ato që kanë bërë gjenocid në luftën e fundit.

Këto komente ministrja Tahiri i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se pala serbe asnjëherë nuk është treguar e gatshme të japë informacione të plota për fatin e të zhdukurve nga Kosova.

Gjatë kësaj interviste ajo ka folur edhe për arrestimin e togerit Nehat Thaçi, duke thënë se nuk mund të kushtëzohet vazhdimi i dialogut me lirimin e këtij të fundit, pasi që, siç thotë ajo, në këtë mënyrë kushtëzohet edhe e ardhmja evropiane e vendit.

“Në fakt Kosova dhe Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit i ka listat dhe i ka pasur vazhdimisht që nga paslufta. Një kohë me këtë çështje është marrë UNMIK-u, ndërsa që nga viti 2006 Qeveria e Kosovës e ka formuar Komisionin për të Pagjeturit. Komisioni shtetëror e ka evidentuar listën e të gjithë qytetarëve të pagjetur, që nga përfundimi i luftës. Mirëpo, Serbia nuk është e gatshme të tregojë se ku janë të pagjeturit. Dhe në Komisionin Parlamentar, që e pata paraqitjen të hënën, unë fola për mosgatishmërinë e Serbisë për t’i dhënë listat se ku janë të pagjeturit. Pra, është dallimi i madh mes asaj se kush janë të pagjeturit dhe ku janë të pagjeturit. Sepse Serbia po t’i jepte listat ku janë të pagjeturit do t’i hapte arkivat ushtarake dhe të gjitha arkivat tjera, do të ishte ajo që do të tregonte se ku ndodhen të zhdukurit dhe pastaj ky proces do të zbardhej shumë më shpejt”, tha ajo.