Simiq: Presidenti Thaçi nuk mund ta nënshkruajë Ligjin për “Trepçën”

Kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq pas dorëzimit të kërkesës për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për “Trepçën” nga ana e legjislativit, në një prononcim për medie ka shprehur se Presidenti Hashim Thaçi nuk mund të nënshkruajë këtë Ligj për sa kohë që Kushtetuesja nuk nxjerr një vendim. Sipas tij, për çështjen e Trepçës kërkohet konsensus i gjerë.

Shefi i Listës Serbe, Sllavko Simiq i shoqëruar nga deputetë tjerë të Listës Serbe e kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Ligjin për “Trepçën”, edhe pse Lista Serbe nuk është pajtuar më këtë Ligj. Sllavko Simiq tha se me miratimin e këtij Ligji janë shkelur të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, më herët ka deklaruar për medie se deputetët e Listës Serbe janë duke e përgatitur edhe kërkesën tjetër, për ta dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me ligjshmërinë e miratimit të Ligjit për Investimet Strategjike, i cili, po ashtu është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.