Supremja konfirmon dënimin e anesteziologut në rastin “Medicus”

Gjykata Supreme i konfirmoi konkluzionet e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me veprën penale të trafikimit me njerëz dhe mosekzistimin e elementeve të veprës penale të krimit të organizuar për të pandehurin S.H me profesion anesteziolog.

Çështja penale ka të bëjë me heqjen e veshkave për qëllime të transplantimit në Klinikën Medicus, që kishte ndodhur së paku prej datës 15 maj 2008 deri më 31 tetor 2008.

S.H. së bashku me të pandehurit e tjerë ishte akuzuar për trafikim të njerëzve, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, dhe Lëndim të rëndë trupor.

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli S.H. fajtor për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor; hodhi poshtë të dy akuzat e rikualifikuara të veprës penale të lehtësimit të veprës penale të trafikimit me njerëz nga neglizhenca, dhe të veprës penale të ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë mjekësor; e liroi nga akuza e veprës penale të krimit të organizuar.

Më pastaj S.H u dënua me 3 vjet burgim, dhe atij iu ndalua ushtrimi i profesionit të anesteziologut për periudhën prej 1 viti, duke filluar nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Në një njoftim për media nga Gjykata Supreme bëhet e ditur se kjo gjykatë e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në lidhje me rikualifikimin e njërës nga akuzat si lehtësimi i veprës së trafikimit me njerëz nga neglizhenca të kryer në bashkëkryerje.
Gjykata Themelore, si shkallë e parë, e kishte liruar S.H. nga akuza penale e krimit të organizuar.

Ai ishte dënuar me burgim prej 3 vjetësh, si dhe i ishte ndaluar të ushtronte profesionin e anesteziologut për periudhën prej 1 viti, duke filluar nga dita e kryerjes së plotë të dënimit me burgim.

Ankesat në shkallën e tretë të paraqitura nga avokati mbrojtës i S.H. dhe vetë S. H. ishin miratuar pjesërisht.

“Gjykata Supreme e ka respektuar kushtin e parimit të’ reformatio in peius’, dhe erdhi në përfundim se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se S.H. me dijeni ishte përfshirë në transplantimin e paligjshëm të veshkave. Megjithatë, përfshirja në transplantimin e paligjshëm të veshkave nuk nënkupton automatikisht dijeninë dhe dashjen për t’u përfshirë në trafikim me njerëz”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me numrin e transplanteve të vërtetuara që kishin ndodhur në Klinikën Medicus, Gjykata Supreme bëri me dije se Gjykata e Apelit në mënyrë të saktë, provat e siguruara gjatë kontrollit në Klinikën Medicus i kishte shpallur si të papranueshme dhe në mënyrë të saktë e kishte përcaktuar numrin e transplanteve 7 (shtatë) sosh.