Antonio Guterres është zgjedhur shef i ardhshëm i OKB-së

Ish-kryeministri i Portugalisë, Antonio Guterres është zgjedhur këtë të enjte Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, pas miratimit unanim të një rezolute nga 193 vendet anëtare në Asamblenë e OKB-së. Ai bëhet sekretari i nëntë dhe do ta marrë detyrën nga Ban Ki-moon, mandati i të cilit përfundon më 31 dhjetor.

Javën e kaluar, kandidatura e tij ishte votuar unanimisht nga Këshilli i Sigurimit, duke dalë triumfues edhe ndaj presioneve për të zgjedhur një grua në krye të OKB-së, organizatë e kryesuar vetëm nga burra përgjatë 71 viteve të ekzistencës së saj.

67-vjeçari Guterres ka qenë kryeministër i Portugalisë në vitet 1995-2002.

Më 1 janar ai merr mandatin e parë, që zgjat 5 vjet, e që mund të rizgjidhet nga shtetet anëtare për 5 vite të tjera.

Ban Ki-moon e cilësoi atë si zgjedhje të shkëlqyer, duke kujtuar punën e tij si Komisioner i Lartë për Refugjatët në kuadër të OKB-së.

Guterres ishte kryesues në të gjashta votimet formale përpara nominimit, duke lënë pas vetes 13 kandidatë të tjerë, mes të cilëve 7 gra dhe 6 burra.