EULEX ngre aktakuzë ndaj Hysni Hoxhës, Njazi Thaçit dhe pesë zyrtarëve të tjerë

Prokuroria Speciale e EULEX-it ka ngritur aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të lartë të KEK-ut, ndaj ish-kryetarit të Organist Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, dhe të një eksperti të OSHP-së për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, lidhur me një tender që kishte vlerën e afro 2 milionë eurove, shkruan sot Koha ditore.

Ata, po akuzohen se janë të përfshirë në dhënien e tenderit të KEK-ut dy kompanive “Solar & Ortex Uro Group” dhe “Beli Com”, edhe pse kanë qenë në dijeni se autorizimet e paraqitura dhe dokumentet e tjera relevante janë të falsifikuara.

Në aktakuzën e ngritur më 7 korrik të këtij viti, nga prokurori i EULEX-it, Tomas Meskauskas, janë përfshirë drejtori operativ i KEK-ut, Njazi Thaçi, ish-kryetari i OSHP-së, Hysni Hoxha, eksperti shqyrtues i OSHP-së, Azem Duraku, dhe katër zyrtarë të KEK-ut, Emin Tmava, Hanefi Hajdini, Driton Pruthi dhe Muhamet Selmani.