NPB e Komunës së Prishtinës: Do t’i nxjerrim të gjithë banorët nga shtëpitë e uzurpuara

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), e cila është në kuadër të Komunës së Prishtinës, ka paralajmëruar se do të lirohen të gjitha banesat e uzurpuara. Sipas saj, janë 180 banesa të uzurpuara.

Ata, përmes një përgjigje dërguar në formë elektronike, i kanë thënë Radios “Evropa e Lirë” se kanë filluar të bëjnë lirimin e banesave të cilat janë të uzurpuara dhe se ky proces do të vazhdojë deri në lirimin e të gjitha pronave.

“Deri më tani janë liruar 12 banesa, me urdhër për ekzekutim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Procesi është duke vazhduar në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi dhe aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për informim e kësaj ndërmarrjeje.

Uzurpime të banesave, sipas zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje, thuhet të ketë pasur edhe të ndërtesave të cilat kishin mbetur të papërfunduara për shkak të luftës në Kosovë.

“Fillimisht, ndërtesat duhet të lirohen me qëllim që të përfundohen punimet, meqë është fjala për një bllok banesor i cili ka mbetur i papërfunduar dhe nuk ka pëlqim teknik, gjë që paraqet rrezik për jetën e vet banorëve, si dhe qytetarëve të tjerë. Pastaj, duhet t’u dorëzohen pronarëve legjitimë sipas kontratave të ndërtimit”, thonë zyrtarë të ndërmarrjes.

Procesi gjyqësor për lirimin e këtyre banesave thuhet të ketë filluar në vitin 2005 dhe se të gjitha vendimet e Gjykatës u janë komunikuar banorëve me shkresa të njëpasnjëshme.
Mënyra se si është bërë lirimi i këtyre banesave ka nxitur reagime të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë.

Largimi me dhunë i këtyre banorëve nga këto banesa, thonë udhëheqësit e Këshillit, është në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se largimi i banorëve nga banesat në të cilat kanë jetuar për 17 vjet, pa iu siguruar paraprakisht atyre strehim, paraqet shkelje të të drejtave të tyre.

“Jemi kundër këtij veprimi, përderisa nuk gjendet një zgjidhje për ta. Nëse iu gjejnë zgjidhje atëherë kanë të drejtë t’i largojnë. Për më keq, autoritetet kompetente nuk po zbatojnë ligjin për të gjitha pronat. Ata po merren me lirimin e uzurpimeve të vogla dhe jo atyre uzurpimeve të mëdha, ku janë politikanët”, thotë Shala.