
“Të dielën ka qenë shumë ftohtë. Ditëve tjera më pakë, por edhe në magjes ka qenë kapak ftohtë. Në dhomat matanë disa plaka kanë marrë radiatorët nga shtëpia. Ne e kemi marrë edhe nga një batanije prej shtëpisë. Po, meqë shërbimi qenka i mirë, nuk po e ndjemë shumë të ftohtit”, tha për lajmi.net një paciente e shtruar në Klinikën e Gjinekologjisë.
Afërdita Uka – Fejzullahu, zëdhënëse në ngrohtoren e qytetit të Prishtinës “Termokos”, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për shartimin e sezonit ngrohës dhe se ngrohtorja do të ndizet më 15 tetor.
“Përgatitjet për fillimin e sezonit të ri ngrohës kanë hyrë në fazën përfundimtare. Janë bërë të gjitha testimet dhe përgatitjet që të kemi një sezon sa më të suksesshëm ngrohës. Furnizimi me ngrohje për sezonin e ri ngrohës 2016/2017 do të fillojë më 15 tetor”, tha për lajmi.net Uka – Fejzullahu.
Mirlinda Qyqalla, zyrtare për informim në QKUK e ka konfirmuar se ngrohja qendrore ende nuk është lëshuar në këtë institucion. Ajo ka thënë se, pacientet nuk ndalohen që të lëshojnë ngrohjet private.
“E gjithë Qendra Klinike Universitare e Kosovës është e varur nga rrjeti i ngrohtores së qytetit të Prishtinës. Vitin e kaluar për shkak të koogjenerimit ka pasur ngrohje të mjaftueshme. Presim që edhe këtë vit të kemi të njëjtën ngrohje. Sa i përket ngrohjeve alternative, ne nuk i kemi ndaluar pacientët asnjëherë që të përdorin ngrohje nëpër dhoma të pacientëve atëherë kur është e nevojshme edhe pse e ngarkojnë rrjetin elektrik”, tha Qyqalla.
“Apelojmë te të gjithë pacientët që kur nuk është e nevojshme dhe kur temperaturat nuk janë shumë të ulëta, të mos i përdorin ngrohjet”, shtoi tutje ajo. Ngroh qendrore nuk kanë as Konviktet e studentëve, pasi qe edhe ato ndërtesa janë të lidhura me “Termokos”.