Thaçi: Penguesit e Demarkacionit për vete kanë viza

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në Zona e Debatit në Klan Kosova Demarkacioni me Malin e Zi duhet që të kalojë, sepse është i drejtë. Ndërsa, ka kritikuar kundërshtarët e këtij procesi, duke thënë se po bëjnë patriotizëm të rrejshëm.

“Demarkacioni është i drejtë dhe nëse nuk kalon dhe ndikohet kjo vendimmarrje nga provincializmi lokal dhe patriotizmi i rrejshëm, për Kosovën nuk do të ketë liberalizim vizash. Ndërsa ata që po e pengojnë këtë proces për vete e familjet e tyre kanë viza”, ka thënë Thaçi, njofton Klan Kosova.

Po nuk kaloi Demarkacioni, Thaçi thotë se do të vonohemi shumë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Nëse nuk bëhet Demarkacioni minimum do t’i humbim edhe dy vjet dhe nuk do të merret kush me vendet e Ballkanit në mënyrë serioze, pas problemeve të brendshme që ka Bashkimi Europian për vete”.

“Secili shtet i ka specifikat e veta, por për ne është me rëndësi që kemi kryer obligimet me përjashtim të Demarkacionit që s’ka qenë kusht në fillim. Unë nuk besoj që as Shqipëria e Serbia do të kalojnë lehtë në proces, por nëse lëvizin më shpejt se ne atëherë vet jemi fajtorë”, tha ai.

Thaçi ka folur edhe për formimin e ushtrisë në Kosovë. Ai tha se kohë më parë Lista Serbe e pranonte ushtrinë e Kosovës.

“Lista Serbe më parë kanë qenë të gatshëm të votojnë për bërjen e ushtrisë, por partitë shqiptare e patën stagnuar këtë proces. Ndërsa tani mendoj se duhet të zhvillohet një debat i hapur korrekt dhe kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt dhe të formohet një ushtri moderne”.

Presidenti tha se debati “shqiptar apo kosovar – në nivel sportiv” është i panevojshëm, pasi duke qenë dy shtete, nënkuptohet që do të kemi dy kombëtare.

Ai ka deklaruar se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në familjen e madhe europiane, ndërsa ka ironizuar me një pjesë të atyre që flasin për bashkimin kombëtar.

“Debati shqiptar është i panevojshëm. Nuk është i shëndetshëm. Duhet ta dimë që përderisa kemi dy qeveri, do të kemi dy përfaqësuese sportive. Përderisa kemi dy kryeqytete, do të kemi dy kombëtare. Unë kam qenë shumë i lumtur ta përcjell Shqipërinë në Europian. Ndërsa për Kosovën duhet të kemi mirëkuptim. Është kombëtare e re dhe me lojtarë shumë premtues. Duhet pasur parasysh, por jo justifikuar rezultatin. Është shumë me rëndësi që po marrim pjesë në gara. Unë pres që në të ardhmen Kosova të jetë një prej përfaqësueseve më të fuqishme europiane. Nëse luan Kosova dhe Shqipëria, le të fitojë më i miri, por tifo bëj për Kosovën”.

“Bashkimi me Shqipërinë është debat që zhvillohet në baza krejt joprofesionale dhe kur dëgjoj disa që e kanë kënduar himin jugosllav dhe tani flasin për këtë bashkim, them ‘lëshom tokë’”.