Buffon: Mund të ma organizoni funeralin, por askush nuk do të jetë aty

Gianluigi Buffon i heshti kritikët me paraqitjen e tij mbresëlënëse kundër Lyonit dhe natyrisht se nuk ka mundur të mos reagojë ndaj atyre që thanë fjalë të këqija për të.

Kapiteni i Juventusit mbrojti një penalti dhe intervenoi në disa raste vendimtare, në fitoren prej 1-0 të Juventusit në Stade de Gerland.

Portieri italian ishte kritikuar për disa gabime me përfaqësuesen dhe me klubin, disa ekspertë madje thoshin se ka përfunduar epoka e tij.

“Njerëzit mund të ma organizojnë funeralin, mirëpo nuk do të jetë askush aty”, ka deklaruar Buffon për Mediaset Premium.

“E kam thënë shumë herë, pa arrogancë, se jam shumë vet-kritik dhe nuk kam nevojë t’i dëgjoj të tjerët që përpiqen t’i shfrytëzojnë situatat për të mos më respektuar dhe të tregojnë padrejtësi ndaj njerëzve”.

“Kam dëgjuar shumë budallallëqe në javët e fundit, por vetëm një koment të vërtetë: ‘Pres më shumë nga Buffon’. Kjo është e vërtetë dhe jam pajtuar me gjithë zemër”, ka shtuar kapiteni i Juves.